Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës Kreshnik Ahmeti ka zhvilluar sot një telefonatë me homologen e tij ukrainase, Emine Dzhaparova.
Në këtë bisedë Ahmeti e njoftoi Dzhaparova për rreshtimin e Kosovës në përkrahje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Ai përmendi sanksionet të cilat Kosova tashmë i ka vendosur dhe gatishmërinë për t’i shtuar ato në koordinim me ShBA-të, BE-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtare. Gjithashtu, ai përmendi edhe ndihmën që Kosova po i ofron në këtë situatë duke strehuar 20 gazetarë, duke larguar përkohësisht regjimin e vizave për qytetarët ukrainas dhe duke treguar gatishmëri për strehimin e 5000 refugjatëve.
Dzhaparova e falënderoi Kosovën për mbështetjen dhe për rreshtimin e menjëhershëm në anën e Ukrainës.