Gazetari Dritan Shakohoxha, kandidat për president të FSHF-së nuk e njeh asamblenë zgjedhore të qeverisë së futbollit shqiptar që u mblodh sot dhe zgjodhi Armand Dukën edhe për një tjetër mandat, i gjashti radhazi. Ai shprehet se do të ndjekë rrugën ligjore.
“Siç e kam deklaruar edhe dje, unë do të vazhdoj betejën ligjore. Besoj shumë që votimi i sotëm nuk do të legjitimohet. FSHF ka përdorur politikën e faktit të kryer e cila mund t’i duket me vlerë sot por ditët në vijim do e shohim të gjithë që do jetë e pa vlerë. Gjykatat kanë folur dhe do flasin përsëri besoj, duke ruajtur të njëjtin standart si në 2 rastet e mëparshme.
Në fund, drejtësia do vendoset dhe futbolli do flasë me votat e anëtarëve të familjes tonë”, ishte reagimi i Shakohoxhës për zhvillimin e Asamblesë Zgjedhore nga FSHF.