Gjatë seancës në Gjykatën Themelore të Pejës, denoncuesi Gerhard Alois Frey, që thotë se ishte mashtruar nga dy të akuzuarit Milazim dhe Naim Gashi, deklaroi se kishte bërë transfertën e parave në periudha të ndryshme kohore prej 2-3 vitesh si investor për dy projekte.
Në këtë rast, Naim dhe Milazim Gashi akuzohen për mashtrim të Gerhard Alois Frey.
Gerhard, sot, u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit, ku tregoi rreth projekteve të prezantuara nga dy të akuzuarit Naim dhe Milazim Gashi, për të cilat ata kishin kërkuar që si investitor i dëmtuari t’i financojë me shuma të ndryshme parash.
Përgjatë pyetjeve të prokurores Sadije Muriqi, i dëmtuari tha se me të akuzuarin Naim ishte njohur në Spanjë në vitin 2010, ku ai i kishte prezantuar atij bizneset e veta e që e ftoi që i dëmtuari të vinte në Kosovë, ku më pas i kishte prezantuar projektin me 16 banesa ku atij i ofroi 2 banesa.
Sipas të dëmtuarit, i pandehuri Naim i kishte prezantuar në 2011, projektin lidhur me Qendrën e Biznesit në Pejë, dhe me disa përfitime të projektit ku i dëmtuari i kishte paguar atij 800 mijë euro, ndërsa për provën e dytë të projektit nga fimra “NJAT”, i kishte transferuar 1 milion e 700 mijë euro nga periudha 2011 deri në 2014.
‘’Unë i kam vetëm fotografitë që ai mi ka prezantuar mua, dhe më pas kemi shkuar në vend për ta shikuar’’, tha i dëmtuari lidhur me projektin e parë të prezantuar nga të akuzuarit.
Ai gjithashtu shtoi se kishte shkuar në oborrin e Arkivës së qytetit, ku i akuzuari i prezanton edhe një fotografi për të shikuar vendin, për ta ditur se ku po investon.
“Është theksuar në kontratë se 1.5 milion mund të fitoj çdo investor, aty ishin 3 investorë dhe shtesë ishte Kuvendi Komunal Pejë, unë si person Naimi dhe Milazimi. Duhet të fitonim 25% , dhe Kuvendi Komunal 25%’’, tha i dëmtuari.
Ai tha se pos atyre fotografive të dërguara nga i akuzuari Naimi, për parcelat se i takojnë atij, dëshmi të tjera nuk kishte, ai gjithashtu kishte përpiluar kontratën për investim, kontratë kjo e cila ishte përpiluar në Kosovë në gjuhën shqipe.
Me tej ai shtoi se pas një dite e kishte marrë kontratën të përkthyer, e cila ishte e nënshkruar nga ai dhe dy të pandehurit, dhe prezent aty kishin qenë që të tre.
Dëshmitari tha se i kishte dhënë sipas kontratës paratë tek Naimi, pasi kishte parë që është një investim i mirë, sepse sipas tij çdo investitor do t’i fitonte 2.5 milionë, e që argumenti ishte se do të ndërtoheshin 125 banesa dhe çdo banesë do ta kishte çmimin 65 mijë euro, thotë ai.
‘’Një herë 700 mijë euro ndërsa në të dytën herë 500 mijë euro, pastaj edhe shumën prej 240 mijë euro, pastaj 330 mijë shuma e përgjithshme 1 milion e 733 mijë, për investimin e kabllos elektrike në llogarinë e biznesit të Naimit’’, thotë i dëmtuari.
Nga pyetja e të autorizuarit të tij, avokati Albert Islami, prej projektit të parë në Arkivin e Qytetit të Pejës për të cilën sipas kontratës keni paguar 800 mijë euro pse të pandehurit nuk ju kanë thyer juve këto 800 mijë euro, i dëmtuari tha se përgjigja e fundit ishte e Naimit se ka thënë se ndoshta sipas tij kryetari i komunës i ka ikur në Itali dhe i ka marrë paratë me vete.
Pse në kontratën për Arkivin e Qytetit nuk figuron nënshkrimi i palës së katërt i komunës, pyet i autorizuari Islami, i dëmtuari i përgjigjet se nuk kishte pasur njohuri se pala e katërt ishte dashur të nënshkruhet.
Nga pyetja e mbrojtësit Cena se a ka hyrë në investime të përbashkëta me vullnet të plotë, i dëmtuari u përgjigj se po.
Pas kësaj seanca e shqyrtimit gjyqësor, u ndërpre për të vazhduar ditën e nesërme.