Sandër Beci, ditën e sotme është bërë anëtari i 8 i Gjykatës Kushtetuese.
Ai është emëruar në vend të Fatmir Hoxhës që u shkarkua nga vettingu.
Me shtatë vota pro dhe katër kundër, ai u përzgjodh nga mbledhja e posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Bashkë me Becin për këtë post kishin kandiduar edhe Brunilda Kadi, Elsa Miha, Holta Zaçaj dhe Juliana Latifi.
Njoftimi
Bazuar në nenin 7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar) dhe Rregullores “Për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”, Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë zhvilloi, sot, më datë 15 mars 2022, procesin e votimit për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Mbledhja e Posacme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pasi u njoh me listën e kandidatëve të renditur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në përfundim të procesit të votimit, vendosi të shpall fitues me 7 (shtatë) vota pro, kandidatin Sandër Beci.
Rezultati i votimit do t’i njoftohet menjëherë, Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.