Kremlini i është përgjigjur komentit të Presidentit të SHBA-ve Joe Biden – i cili e quajti presidentin rus Vladimir Putin një “kriminel lufte” – duke i thënë se komentet e tij ishin “të papranueshme dhe të pafalshme”.
Deklarata e Biden shënoi një ndryshim në retorikën e Washington-it, i cili dënoi mizoritë e kryera nga Rusia në Ukrainë, por nuk i cilësoi ato “krime lufte”, duke përmendur hetimet e vazhdueshme nga organizatat ndërkombëtare.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha në një konferencë se, “mendoj se ai është një kriminel lufte”, duke shtuar se Biden “po fliste nga zemra”.
“Biden po i përgjigjej një pyetjeje të drejtpërdrejtë që u bë dhe po i përgjigjej asaj që ai ka parë në televizion. Të gjithë kemi parë akte barbare, akte të tmerrshme nga një diktator i huaj në një vend që kërcënon dhe merr jetën e civilëve – duke goditur në spitale, gra që janë shtatzëna, gazetarë, të tjerë dhe mendoj se ai po i përgjigjej një pyetjeje të drejtpërdrejtë”, shtoi ajo duke saqruar komentin e Biden-it.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se përshkrimi i Biden për Putin-in ishte “retorikë e papranueshme dhe e pafalshme”. Lajmin e ka raportuar agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.
Deklarata e Biden në lidhje me Putin-in erdhi pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mbajti një fjalim të pasionuar me video në Kongresin amerikan, duke kërkuar më shumë mbështetje për vendin e tij, i cili po përpiqet të frenojë sulmin rus.
Presidenti amerikan njoftoi një ndihmë shtesë prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën, duke përfshirë sistemet kundërajrore dhe dronët.
Kujtojmë që kjo është dita e 21-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.
Sipas OKB-së, rreth 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 11 mijë.
Ndërsa rreth 2 mijë e 500 civilë janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse – mes tyre edhe fëmijë.