Një lajm i bujshëm erdhi paraditen e sotme nga Italia. Mediat përtej Adriatikut publikuan lajmin e arrestimit të këngëtares shqiptare Elsa Lila, 40-vjeçe. “La Republica” dhe media të tjera njofton se këngëtarja është mes nëntë personave të arrestuar për trafik droge. Arrestimet u bënë mes Acilia-s dhe Romës. Grupi trafikonte dhe shishte kokainë, hashash dhe marijuanë.
Grupi me 13 persona italianë dhe shqiptarë, me seli në Acilia, blinin sasi të mëdha droge, të cilat pasi transportoheshin me makina të regjistruara te të tretët, fshiheshin në magazina dhe garazhe. Po sipas mediave italiane, Elsa Lila kishte rolin e financieres së grupit.
Gjatë hetimeve u sekuestruan gjithsej 5 kg kokainë, 43 kg marijuanë dhe 82 kg hashash. Mes të arrestuarve është edhe një boksier i njohur shqiptar. Bëhet fjalë për Petrit Bardhin, i cili thuhet se ishte mik i ngushtë i Arben Zogut, i njohur si ultras i ekipit të Lacios. Zogu i cili njihet me emrin “Riccardino” u dënua me 20 vite burg për trafik droge më 10 maj të 2016-ës.
Arben Zogu bashkë me dy shqiptarë të tjerë Orial Kolaj, 30 vjeç dhe Petrit Bardhi, u arrestuan gjatë një operacioni të policisë italiane në vitin 2015. Ata ishin pjesë e grupit mafioz “Guarnera”, e përbërë nga një grup i madh qytetarësh shqiptarë, që cilësohen si “boksierët”. Emrat e tyre nuk dihen. Shqiptarët u akuzuan si të lidhur me nëndegën e Camorrës, i njohur si klani i kazalezëve. Shitja e kokainës dhe mbledhja e gjobave ishin aktiviteti kryesor i shqiptarëve.