Ish-ministri i Jashtëm, Skender Hyseni ka folur për krahasimet që i janë bërë ditëve të fundit ish-presidentit Ibrahim Rugova me presidentin aktual ukrainas, Volodymyr Zelensky, për konfliktin me Rusinë.
Këto deklarata Hyseni i ka quajtur të pakrahasueshme, kjo pasi sipas tij, Kosova gjatë periudhës së luftës ishte totalisht në rrethana tjera, krahasuar me çfarë është Ukraina sot.
Ish-diplomati madje ka zbuluar detaje tjera, se si ish-presidenti serb, Slobodan Millosheviç ka tentuar ta vrasë Rugovën.
“Viti 1997 në Malishevë. Unë kam qenë në komunikim me Christopher Hill dhe Richard Holbrooke. Dhe unë e kam parë që administrata amerikane ka filluar të ketë një ftohje. Mos ndoshta Ibrahim Rugova nuk e kishte fuqinë që pretendohej ta kishte. Christopher Hill ka propozuar të bëjmë një vizitë në Malishevë në kulmin e luftës. Unë kam qeshur, dhe i kam thënë që kjo për të ndodhur. Unë i kam thënë edhe Chris, e di pse po e bën dhe do të befasohesh. Pasi kemi shkuar në Malishevë, të gjithë ushtarët e UÇK-së kanë filluar ta përqafojnë Rugovën. Sepse prisnin diçka tjetër. Dhe unë e kuptoja”, tha Hyseni, për Kanal10.
Hyseni ka thënë se në kohën e luftës, Ibrahim Rugova nuk kishte një ushtri të strukturar ashtu siç e ka presidenti ukrainas, Zelensky tani.
“Një detaj, Ibrahim Rugova nuk e ka pasur një ushtri të strukturar. Zelensky e ka. Ibrahim Rugova nuk ka pasur shtet të njohur ndërkombëtarisht. Zelensky e ka. Kosova nuk e ka pasur pavarësinë e shpallur. Presidenti Rugova u detyrua të shkojë në Itali për shkak të kërcënimeve në prill të 1997-ës. Millosheviç nuk kishte asnjë interes më të madh se sa diskreditimin publik të Ibrahim Rugovës. Ndërkohë, Serbia ka pasur informacione të besueshme që donte të sajonte një kurth që të vritej Ibrahim Rugova me familjen e tij, për ta fajësuar UÇK-në. Këto ishin informacionet që kishte Rugova. Për ta evituar këtë, NATO e çoi në Itali”, tha Hyseni.