Gjatë protestës së sotmë në Paskuqan ka ndodhur një incident i rëndë. Banorët pretendojnë se janë kërcënuar me armë zjarri nga shoqëruesi i Lindita Nikollës.
Si në çdo protestë, banorët kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste kundër devijimit të projektit të Unazës së Madhe, i cili prek pronat e tyre, por janë përballur me një pistoletë.
Sipas të pranishmëve, një person me automjet me targa “AA 270 ZK” ka tentuar të kalojë përmes protestuesve, duke i kërcënuar me armë zjarri. Më pas është mësuar se personi që u ka nxjerrë armën është Euglen Benga, me detyrë nën-oficer te Garda e Republikës dhe shoqërues i kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla. Por ende nuk është zyrtarizuar nga Policia e Shtetit.
“Lërë more se është me fëmijë të vogël. Ore! Kape se është me allti (armë)! Nxjerr pistoletën ai. O hapja rrugën prej fëmijës se është me fëmijë. Po bëni gabim se nxorri armën drejt njerëzve,”-dëgjohet në video. Ç’ka lë të kuptohet se disa prej tyre nuk e kanë parë momentin kur kanë nxjerrë armën, por kanë kërkuar që të kalojë pasi e kanë parë me fëmijë.
Ndërkohë që efektivët e Policisë së Shtetit, që ndodheshin aty për monitorimin e protestës që të ndalonin automjetin, kanë zgjedhur që të mos ushtrojnë asnjë kontroll në mjet për të verifikuar pretendimet e protestuesëve. Deri më tani ngjarja është denoncuar vetëm në media por nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me ngjarjen.