Ditën e sotme, një 31 vjeçar është kapur nga policia brenda shtëpisë së barit në Qesarakë të Tiranës. I riu kishte marrë një apartament me qira dhe e kishte përshtatur për kultivimin e bimëve të hashashit.
Teksa policia me ndihmën e OSHEE-s kanë tentuar të kontrollonin banesën, i riu ja ka mbathur me vrap.
Ai ka dalë nga ballkoni nëpërmjet disa tubave. Sipas burimeve OSHEE ka qenë ajo që ka pikasur një lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në banesën e ti riut.
Njoftimi i plotë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Lugano 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave.
Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me OSHEE.
Gjatë operacionit është zbuluar një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, në një banesë ku kishte lidhje të paligjshme elektrike.
Vihet në pranga 1 shtetas, sekuestrohen pajisje për kultivimin e kanabisit, llamba dhe bimë narkotike.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas në pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas, në rrugën “Sotir Caci”, kishte përshtatur banesën e marrë me qira, për kultivim të bimëve narkotike, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Lugano 2”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. N., 32 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ky shtetas, gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet nga banesa të cilën kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, duke u hedhur nga kati i tretë.
Gjatë kontrollit të kësaj banese, në rrugën “Sotir Caci”, janë gjetur dhe sekuestruar pajisje që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, llamba dhe 81 vazo me bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.