Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Besa Ademi, është takuar të mërkurën e 16 marsit me zëvendëskryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të një takimi dypalësh mes dy Gjykatave, ku është diskutuar në lidhje me rolin e rëndësishëm të Gjykatës së Lartë në sistemin gjyqësor, duke vlerësuar për më tepër bashkëpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave, ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Gjithashtu kjo është bërë duke vënë në plan të parë problemet e përbashkëta, si vende të cilat synojnë anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian.
Sadushi, u shpreh se të dyja vendet i njohin problemet dhe sfidat e përbashkëta, më të cilat përballen për të ardhmen e tyre, duke theksuar se ky takim do të shërbejë për shkëmbimin e mendimeve rreth arritjeve dhe objektivave të synuara.
Sipas dy drejtuesve të Gjykatave të Larta, sistemet gjyqësore kanë problematika të ngjashme si vende fqinje.
“Bashkëpunimi duhet të jetë sa më konkret në mënyrë që të arrihen qëllimet e caktuara, veçanërisht në mirëfunksionimin e institucioneve, adoptimin e standardeve evropiane për një drejtësi e cila synon të ndryshojë perceptimin që publiku ka mbi gjyqësorin”.
Ata bënë një prezantim të detajuar të aktivitetit të tyre të përditshëm, duke u bazuar në zbatimin dhe respektimin e Kushtetutës, ligjeve përkatëse, frymës së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe vullnetit për të vepruar dhe reaguar pozitivisht ndaj çështjeve të ndryshme.