Komisioni për sëmundjet ngjitëse në Maqedoninë e Veriut propozoi që nxënësit e shkollave fillore të mos mbajnë më maskë, ndërsa kapaciteti i përmbushjes së objekteve të mbyllura – opera, teatro, kinema të rritet nga 50 në 75 për qind. Kjo vjen si rezultat i uljes së numrit të rasteve të reja me KOVID-19 në shtet, ndërkaq përsëritet thirrja për vaksinim.
Edhe një propozim nga Komisioni është heqja e certifikatave për qëndrim në pjesën e hapur të objekteve, si hotelet.
Detyrimi për mbajtje të maskës në shkollë mbetet për mësimdhënësit, profesorët dhe personelin teknik.
Kryetari i Komisionit, Aleksandar Petliçkovski tha se masat do të zbuten ose ashpërsohen varësisht nga gjendja epidemiologjike.
Sipas Petliçkovskit, vaksinimi mbetet mjeti kyç në luftën kundër pandemisë.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi në vend janë evidentuar 328 raste të reja me KOVID-19, nga 2535 testime të bëra. Janë katër viktima në periudhën prej 9 marsit deri më 12 mars. Numri i rasteve aktive për momentin në vend është 1.921.