Deputeti Erion Braçe është një zë i fortë opozitar brenda shumicës në mbrojtje të bujqve. Sot në parlament në interpelancë me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca ai tha se tregu është kapur nga dy kompani duke rritur çmimet në abuzim për të zhvatur bujqit. Ish-zv/kryeministri solli shembuj konkretë me cfarë çmimi e solli grosisti, që ai e quajti oligark dapin, nitratin dhe urenë dhe sa e shet. Braçe kërkon hapjen e tregut.
“Kemi 3 probleme të mëdha në bujqësi; çmimet e rritura deri në 3 herë të inputeve bujqësore, ndryshimet klimës me impakt të fortë në ciklet e prodhimit, nevojën për ujë jashtë sezoneve normale dhe burimet ujore dhe shkretëzimi i tokave nga përdorimi masiv i puseve nëntokësore veçanërisht afër brigjeve detare. Për problemin e parë, qeveria është dorëzuar, ka ngritur duart lart dhe po përsërit vetveten s’kemi ça bëjmë është tregu. Tregu është i kapur dhe i përqendruar. 2-3 kompani që zotërojnë 95-98% të tregtisë së një produkti nuk bëjnë treg. Agro Blend dhe MBM zotërojnë 92% të tregut të uresë, 98% të tregut të dapit, Agrohelm dhe Besbiku 93% të tregut të nitratit. I kemi krijuar ne me vendime këto. Gruri del me humbje, misri me fitim që nuk arrin pagën minimale. Blegtoria, lopët dalin me humbje. Këtu mbivendoset edhe problemi i madh i çmimeve në shitje që favorizojnë grumbulluesit dhe kurrë bujkun e fshatarin. Kjo vjeshtë do kthehet në problem për shkak të çmimit të naftës.
“Na duhet cdo gram produkt, edhe nga një lopë, edhe nga një dele apo pulë. Bujqësia dhe blegtoria është tkurrur. Po të doni i fshij shifrat e INSTAT për dy vitet e fundit, pa përfshirë atë që shkoi, se nuk kanë dalë. Dhe po them jemi mirë, por nuk na beson kush, as juve dhe për mua do të thonë, “na la edhe ky”. Cdo dynym me grurë dhe misër nuk është vetëm interes i bujkut, por kombëtar. Përtej këtyre dhe për të arritur tek prodhimi, çmimi i inputeve, ligjshmëria e tyre është interes kombëtar. Tregu është i kapur, 95-98% e tyre. Çmimet janë të larta. Norma e fitimit të këtyre është jashtë logjike, për shkak të tyre kostoja po e bën punën të padobishme. Sot e kanë çuar urenë dhe dapin në 130 mijë lekë, po abuzojnë. Pse? Për shkak të cikleve të plehërimit. Furnizimi me pleh i grosistëve është bërë para luftës. Në shkurt e mars janë blerë sasi të vogla në raport me konsumin e bujqve. Çmimi 13 mijë lekë apo 130 mijë lekë kuintali është abuzim me dapin, urenë dhe nitralin 104 po ashtu është abuzim. Fitojnë 3-4 mijë lekë për kuintal, 25-30%, por është shumë dreqi ta hajë. Është ai oligarku i madh që fola më herët, merret edhe me politikë surrati i atij. Nuk e di cfarë ju thoni dhe u thonë. Urdhëroni faturat. Me 52.4 lekë e ka sjellë, 104 lekë shitet sot. Po nuk ngopet ky njeri? Çlironi tregun” tha ai.