Një rritje në çmimin e apartamenteve është shënuar këto ditë në Kosovë. Qytetarët atje duhet të paguajnë për blerjen e një apartamenti deri në 200 euro më shumë për metër katror.
E gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e rritjes së kostove të ndërtimit.
“Pas fillimit të luftës në Ukrainë kemi një ngritje deri në 40 për qind [të çmimit] të hekurit. [Çmimi] i çimentos është 80 për qind më lart se vitin e kaluar. Këto janë produkte bazë të ndërtimit, por rritje kanë pësuar edhe materialet tjera ndërtimore”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, Faton Hoxha.
Sipas tij, një metër katror i një banese në Fushë Kosovë ka arritur në 650 euro e më shumë, nga 500 sa ka qenë vitin e kaluar.
Fushë Kosova, e cila ndodhet vetëm gjashtë kilometra larg Prishtinës, ka ndër çmimet më të ulëta në treg, thonë në Shoqatën e Ndërtimtarëve të Kosovës.