Partia e Lirisë ka shpërndarë një apel të fortë drejtuar qeverisë lidhur me rritjen e çmimit të naftës dhe taksimin e saj. Në një postim të djeshëm në rrjetet sociale, Erisa Xhixho kërkoi pezullimin e taksës së qarkullimit dhe të taksës së karbonit, duke theksuar se rreth 60% e çmimit të naftës përbëhet nga taksa.
Ajo gjithashtu kritikoi qeverinë për refuzimin e masave, duke bërë thirrje për një ndërhyrje urgjente në mënyrë që të parandalohet rritja e çmimeve.
“Rreth 60% e këtij çmimi janë taksa që shkojnë direkt në arkën e shtetit. Në rajon po merren masa: Kosova kufizon fitimet, Mali i Zi ul akcizën, Maqedonia e Veriut ul TVSH-në, Serbia ul akcizën me mbi 20% dhe hedh në treg 40 mijë tonë naftë. Partia e Lirisë ka propozuar zgjidhje të menjëhershme: Pezullimin e Taksës së Qarkullimit dhe pezullimin e Taksës së Karbonit. Por qeveria refuzon. Sepse, për këtë qeveri, çmimi nuk është rritur ende mjaftueshëm. Ndërkohë pritet që çmimi të shkojë në 220 lekë për litër, që më pas të ulet akciza me 20%, çka do të thotë vetëm 9 lekë më pak. Një ulje totalisht e papërfillshme! Çdo rritje e naftës do të sjellë rritje të çmimit të bukës, qumështit, vajit, transportit – rritet çdo kosto jetese. Zgjidhja e vetme është ulja e taksave! Ndaj sot, në orën 18:00, të gjithë në shesh për veten tonë, për familjet tona, kundër kësaj autokracie që vetëm varfëron qytetarët.”









