Finalizohet operacioni policor i koduar “Çiklisti”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje. Operacioni nga Komisariati i Policisë Vorë. Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov dhe një krehër me municion luftarak. Vihet në pranga një 18-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas lëvizte me armë zjarri, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Çiklisti”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– B. M., 18 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky shtetas është konstatuar në vendin e quajtur “Ura e Gjolës”, duke lëvizur me biçikletë dhe gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov dhe një krëhër me municion luftarak. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon puna për zbardhjen e qëllimit dhe motiveve pse ky shtetas qarkullonte me armë zjarri. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.