Numri i të shtruarve në spitalin Covid ka pësuar ulje drastike. Pacientët që po marrin shërbim spitalor tek Covid 1 janë vetëm nga 4 qarqe të vendit. Sipas të dhënave zyrtare, shumica e të shtruarve në spital janë nga Qarku i Tiranës. Të tjerët nga Fieri, Durrësi dhe Elbasani.
Bluzat e bardha thonë se 95% e të shtruarve janë persona të pavaksinuar, për pasojë janë forma të mesme dhe të rënda të sëmundjes. Nga afro 600 raste aktive në vend, vetëm 4.5 % e tyre janë të shtruar në spital.
Shqipëria po regjistron prej tre javësh shifra të ulëta infektimesh. Dibra dhe Berati janë qarqet me numrin më të ulët të rasteve, pothuajse sporadike, që pritet të kalojnë shumë shpejt si qarqe “Covid free”.
Megjithatë ekspertët rekomandojnë të mos ndërpritet procesi i vaksinimit në një kohë kur në Europë dhe botë po shfaqen mutacione të tjera të Covid.
Deri tani në Shqipëri është imunizuar 46% e popullsisë, ndërsa me një dozë mbulesa vaksinale ka arritur 49% në rang kombëtar. Që prej fillimit të pandemisë në Shqipëri afro 273 mijë qytetarë janë imunizuar në rrugë natyrore pasi janë infektuar me Covid.