Ekspertët e shohin si mjaft shqetësuese ikjen e mjekëve nga Kosova. Madje ata thonë se për shkak të pagave të ulëta profesionistët shëndetësorë po detyrohen të zgjedhin migrimin për një jetë më të mirë.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se mjekët po ikin nga vendi për një punë e jetë më të mirë.
“Rreth 48 mjekë vetëm muajt e fundit janë larguar nga Kosova. Ata po ikin, por për shkak të kushteve dhe mospërkrahjes nga qeveria, po largohen për punë dhe jetë më me dinjitet”, tha Zemaj.
Kosova po mbet pa mjekë, e thotë edhe Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, duke shtuar se brenda 10 vjetëve spitalet do të fillojnë të mbyllen.
“Brengosëse nuk është vetëm numri sepse mbi 20 mjekë janë larguar vetëm gjatë këtij muaji. Numri i tyre që presin largimin është shumë më i madh. Mbi gjysma e tyre janë në specializime dhe nuk janë të kënaqur me atë që ofron shteti për shkollimin e tyre”.