“Ferr në tokë”. Kështu e përshkroi situatën në qytetin e tij të lindjes Yaroslav Zhelezniak, një deputet ukrainas nga Mariupoli. Dhe është vërtet e dëshpëruar. Mariupoli është rrethuar nga forcat ruse, të cilat kanë penguar krijimin e korridoreve për të lejuar shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Rreth 300,000 banorë janë të bllokuar brenda, pa energji elektrike, ujë të rrjedhshëm apo ngrohje. Dhe ndërsa furnizimet ushqimore dhe mjekësore po mbarojnë, kriza mund të përkeqësohet.
Banorët kalojnë pjesën më të madhe të kohës në strehimore dhe bodrume ndërsa Rusia vazhdon sulmin e saj të pandërprera në qytet, nga toka, ajri dhe deti, thonë zyrtarët.
Pamjet tregojnë një qytet të rrënuar, me lagje të tëra të shkatërruara. Kryetari i bashkisë, Vadym Boychenko, tha se mbi 80% e ndërtesave të banimit ose ishin dëmtuar ose shkatërruar, një e treta e tyre nuk mund të riparoheshin.
Trupat po lihen në rrugë pasi është shumë e rrezikshme t’i marrësh. Edhe një gjeneral rus e ka pranuar se në qytet po shpaloset një katastrofë e tmerrshme humanitare. Çuditërisht, ai nuk e pranoi se forcat e tij ishin përgjegjëse për këtë.