-sidi education-spot_img
17.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Gjergj Fishta….

Kryesoret

Nga Bedri Islami

GJERGJ FISHTA….

Gjergj Fishta është “shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar”.

Lasgush Poradeci

Fishta, ndoshta më shumë se të tjerët, kishte lindur për të qenë poet.

Gjergj Fishta është njëri ndër poetët e ndaluar të kohës së rinisë sime.

Çuditërisht, edhe pse nuk kishte qenë ministër në një qeveri fashiste, si do të ndodhte me bashkëvendësin e tij, Koliqin, ai ishte më i ndaluar se ky, edhe pse kishte vdekur në një ditë të acartë të 30 dhjetorit të vitit 1940.

Në ditë varrimin e tij do të mbanin fjalët e rastit edhe prelatë të lartë katolikë, që u takonte, edhe klerikë të lartë myslimanë, që e kishin pjesë.

Do të mbylleshin të gjitha dyqanet, myezinët do të heshtnin në shenjë nderimi dhe do të dëgjoheshin vetëm kambanat e kishave si një lajm shpirtëror dhe përhapës i kujës.

Duke ikur viti 1940, largohej figura mistike e një njeriu të çuditshëm, me tunikën e tij si të prerë nga mjegullat e lashta dhe që kishte qenë një Zot i pashpallur.

Kishte qenë një mundim i kotë ndalesa e tij e përkohshme publikisht, por e hapur në shtëpitë e vjetra të qytetit.

Është ndër poetët që duhej njëlloj e njihej njëlloj, si në lagjet e krishtera, të mbledhura rreth disa kishave të njohura, në njërin skaj të qytetit, ashtu edhe në lagjet e besimit islam, të mbledhura në skajin tjetër, në një hapësirë gjithnjë e më shumë drejt ujërave, ndërsa të parat, të krishterat, kishin synuar përherë drejt maleve.

Të ndalosh Fishtën do të thotë të mundohesh të gardhosh një perandori letrare, publicistike, një jetë të përkryer, aspak mistike, të për shfaqur denjësisht dhe kryeulur, të denjë për të qenë një shenjt e në të njëjtën kohë njeriu më i zakonshëm, dhe ky është një mundim i kotë. Mund të gardhosh një arë, një kopësht, një rrafshine, mund të djegësh libra apo t’i kyçësh ato nëpër do rafte të hekurt, por është punë e pamenduar dhe absolutisht e pamundur të gardhosh , aq më tepër në gjenin e tij, një perandori të letrave.

E gjithë pamja e jashtme e Gjergj Fishtës, si e një monarku, ka një përflakje lartësie shpirtërore; shikimi i tij i ngulur është rrezatues, kristalin, qëndrimi i tij është burrëror dhe nuk rrëzëllues, ky vështrim të step për një çast, po aq sa të afron në çastin tjetër; është enigmatik dhe i çiltër njëkohësisht; i vëmendshëm deri në detaje dhe i çkujdesur; përmes shikimit të tij mund të shohësh të vërtetën dhe shkreptimën e çastit sublim; më shumë se gjithçka aty shfaqen në të njëjtën kohë sublimja dhe gjenialiteti.

Nuk ka një pamje të zakonshme apo të përulur, si mund të mendohej në urdhrin e tij françeskan.. . Përkundrazi, gjithçka është e dinjitetshme, por vetvetiu, është një pamje e lindur e djaloshit Zef, i cili kur kaloi në misionin e tij fetar , ndoshta jo rastësisht, bëhet Gjergj dhe , jo befas, kthehet në një kështjellë mendimi, për shfaqje, meditimi, e, mbi të gjitha, besimi.

Jo rastësisht, ai do të jetë poeti që, krejt befas, në ditët e fundit të jetës së tij, do të ketë pamjen tragjike e madhështore në të njëjtën kohë; një hije e rëndë do të bjerë mbi atë fytyrë burrërore dhe si të gdhendur nga koha; gjithçka e ndritshme do të zërë vend në sytë e futur thellë, shikimi do të jetë më i përqendruar, si do të kishte dashur të kuptojë nëse e ka përmbushur misionin e jetës së tij, apo, duke shkuar larg në kohë, duke kërkuar Zefin e vogël, djalin e lindur në atë familje të varfër, që kishte ikur nga prindërit drejt selive kishtare, për të qenë një ditë misionari i pashoq i tyre.

Nuk kishte qenë kurrë i etur për të ditur vendin e tij në historinë e letërsisë, e më tej, në historinë e kombit, e, ndoshta, në ato ditë të mbramë, kur dielli po shuhej në sytë e tij, ai , më tokësori ndër poetët e kohës dhe më qiellori në pas jetën e tij, mendoi për lajmëtarin që po ikte.

Fytyra e poetit, ashtu si do të jetë më pas vepra e tij, që në çastin e parë të ngjall ndjenjën e madhështisë, e kësaj, më pas, njëra pas tjetrës e krejt natyrshëm, i shtohen pasioni, që i bulon e rrjedh në sytë e tij, vullneti për të bërë të pamundurën, mahnitja që vjen gjithnjë duke u rritur dhe, më në fund, hija solemne e një patriarku, që gjithçka e ka të natyrshme.

 E vepra e tij?

Në 30 dhjetor 1940  ai nuk e di vazhdimin, koha do të ishte mizore, kujtesa do të ishte ndryshe nga ajo.

Tek ai, më shumë se te kushdo tjetër, që në pamjen e parë, shfaqet ajo që mund ta quajmë fluturime në maja të larta, është reflektimi i dritës, vrulli i përshkëndimeve të guximshme, gjithë dritë, mirësi dhe burrëri. Si do të shkruante filologu i shquar, më i shquari i të gjitha kohërave , akademiku Eqerem Çabej, „”ky burrë me pamje madhështore, qe në të folur i dashur dhe i kthjellët, mik i kallëzimeve të këndshme aq tërheqëse si njëri, sa ka qenë origjinal e i madh edhe si shkrimtar”.

Fishta është i pazakontë , ndryshe nga kolegu i tij, Mjeda, që mund të përfytyrohet me parmendë, Fishta i ka dy duart e zëna, në njërën penën, dhe, në tjetrën shpatën. Ai, liriku dhe polemisti i dorës së parë, oratori i fjalëve përdëllese, zemërdhembshur dhe dijetari, në fakt, mbi gjithçka tjetër, është poeti luftëtar. Të ngjan më shumë me Gazullorët e hershëm, nga e njëjta krahinë ku lindi edhe ai, që u bënë këshilltarët e Kastriotit të madh dhe luftëtarët e diplomatët e tij të shquar.

Për Fishtën e ke shumë të lehtë të besosh se ai vetë, ka folur gjatë me orë dhe me Zana, se ka qenë në tryezën e rrumbullakët të trimave të Jutbinës, ka parë dyluftimin e famshëm mes Gjergj Elez Alisë dhe Bajlozit të Zi të dalë prej Detit; mund të besosh se ka qenë pjesë e tyre dhe kjo nuk ndodh me asnjë poet tjetër, qoftë edhe meshtar si Mjeda apo klerik i lartë si Prendushi.

Fishta është i tillë, gjeni i tij është zakonshëm, fama dhe emri i tij u bënë të pazakonshëm; më shumë se gjithçka tjetër ai u shndërrua në një kult njerëzor, më tepër prijës kushtrimesh se sa predikues i paqes; ai dhe Naim Frashëri janë dy vëllezërit diaskurë që përgatitën kombin në mbijetesën e tij, fisnikë në jetë dhe më tepër në zemër, , ndërgjegje të pastra, në shpirtin e tyre sundon absolutja dhe njerëzorja. I pari, Naimi, është mishërimi i paqtisë njerëzore, që përmes fjalës së ëmbël, shpesh herë magjepse, zgjon ndjenjën e përkushtimit , tjetri, Gjergj Fishta, hijerëndë, sovran dhe patriark, do të jetë më shumë çlirues, ai ndjell stuhinë përmes evokimit të një ngjarje madhore, e denjë për eposin kastriotas, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ai kapërcen kohërat, duke u bërë simbol i njerëzve të pathyeshëm. Ai, në fakt, është i madhërishëm.

Asnjë histori letërsie nuk mund të bëhet pa emrin e tij.

Asnjë Histori e Shqipërisë nuk mund të anashkalojë veprën e Gjergj Fishtës.

Kur Fishta aderoi në urdhrin fetar të françeskanëve u mbiquajt me emrin Gjergj. A është ky një evokim i emrit të heroit tonë kombëtar? Ishte ndjellja e poetit kombëtar, apo parathënia e veprës së tij të pashoqe, e ngjashme me atë çfarë kishte bërë shekuj më parë Prijësi i madh i shqiptarëve?

Fishta qe krijues i kalibrit të madh. Ai shkroi shumë dhe është mjeshtër i vërtetë i gjuhës shqipe. Pak kush ka qenë stilist i madh si ai, satirat e Fishtës janë edhe sot e kësaj dite kryevepra të një mjeshtri të përdorimit të shqipes; njohës i shkëlqyer i letërsisë botërore, ai do të jetë edhe thithja e poezisë popullore, duke e shndërruar veprën e tij në një pasuri të veçantë e të pa kurrkund shoq; poet tragjik, do të jetë edhe përkëdhelës; njohës i gjuhëve të huaja, kumbuese dhe të skalitura nga mjeshtër të mëdhenj, do të ishte i lidhur deri në skaj me gjuhën e etërve të tij, duke u shndërruar befas në njërin nga etërit krijues të saj.

Në 1908 në Kongresin e Manastirit u vendos për alfabetin, që përdorim dhe sot.Fishta do të jetë njëri prej burrave të shkëlqyer që vendosën ndarjen e madhe me Lindjen dhe afrimin me Perëndimin, edhe përmes gjuhës. Përplasjet do të jenë të vështira, të herë pas herëshme, e shkuara kërkonte pjesën e saj, trevat e ndryshme , po ashtu, hise të ndryshme, dhe mendësia e përbashkët mund të dukej e largët.  Pettrota në veprën “Popolo, lingua e literature albaneze”, Palermo, 1931, faqe 335, ka thënë se diskutimi i Fishtës në Kongresin e Manastirit qe vendimtar dhe se “ai fitoi admirimin e të tërë të pranishmve”.

Mjafton vetëm kjo veprimtari kombëtare, që emri i Fishtës të përmendej në histori. Në një periudhë të caktuar nuk ndodhi kështu. Anatemimi i  pa skaj do të jetë në vite, aq sa kishte zgjatur edhe pjesa e parë e madhështisë së tij. Por mohuesit e tij xhuxhë, qëllimisht i mbyllnin sytë. As vetë nuk e dinin se si mund të merrnin pjesë në kryqëzimin e veprës së tij, se si mund të ndiznin zjarret mbi fletët e zverdhura nga koha dhe duke parë se vargjet e famshme, të lavdishme, shkrumboheshinnë flakët e marrëzisë.  Sa qe gjallë vepra e Fishtës qe një nga instrumentat kryesorë të arsimit kombëtar. E jo vetëm kaq, por edhe të vetëdijes kombëtare. Është ndër rastet e rralla kur, një poet, bëhet sinonimi i kombit që në gjallje të tij. Fama e tij i kapërceu shpejt kufijtë e Shqipërisë. Ai u bë një emër i ndërkombëtarizuar. Dhe kjo nuk u bë me anë të marifeteve apo trukeve të dyshimta të publicitetit.

“Të gjitha gjërat duan të qëndrojnë në të qenurit e tyre”, ka shkruar Baruh Spinoza, e, edhe Fishta, ashtu si është, më tepër një patriark se sa një françeskan, sado që librat e tij u damkosën me hekur të nxehtë, ai do të kishte patjetër ri ngritjen e tij. “Të qenurit e tij” – ishte gjëja më normale në botë, e kundërta ishte e pabesueshme dhe e pakohshme.

Është ndër rastet e pakta kur poezia e tij më shumë shijohet në të dëgjuar, se sa në të lexuar; si duket, për të ndjerë magjinë e poezisë së tij duhet përherë më shumë se një njeri, ose, më saktë, duhen një shumësi njerëzore.

Ndoshta nga që poezia e tij nuk ka qenë kurrë e salloneve, e mjediseve të mbyllura nëpër arkapitë e vjetra apo pas mureve me shermashekë.

Ka pasur shpesh herë dilema të ndalimit të tij, ashtu si edhe është synuar , në mos përmendorizimi i figurës së poetit, të paktën ri ngritja e avashtë. Por asnjëherë nuk ishte deri në fund e qartë pse po ndalohej.

Regjimi i ri ishte antizogist, sa që ia kishte ndaluar hyrjen edhe vetë familjes së mbretit të ikur; Fishta kishte qenë fanolist në një periudhë të jetës së tij dhe, në fakt, kurrë nuk u bë zëdhënës i një mbretërie; qeveria që kishte ardhur në pushtet ngrinte ndër monumentet e para edhe atë të Avni Rustemit dhe, në varrimin e Avniut, në Vlorë, njëri ndër fjalimet më të fuqishme kishte qenë pikërisht ai i Fishtës; si duket, meqënëse pas vitit 1948 regjimi kishte shpallur armiqësinë e tij me shtetin fqinj jugosllav dhe me këtë term nënkuptonte shtetin serb, dhe poema madhore e Fishtës, “Lahuta e Malcis” do të kishte qenë konfirmim i asaj që kishte ndodhur; megjithëse pas prillit të vitit 1939 Fishta ishte bërë akademik i Italisë, kjo nuk ishte shoqëruar asnjëherë me zellin e tij ndaj pushtimit, koha kishte qenë e pamjaftueshme për të dhe si duket, pikërisht kjo pamjaftueshmëri kishte lënë hapur shumë shtigje që synonin të mbylleshin, sëbashku me jetën , pra edhe artin e tij.

Njohja e tij me sunduesin e ri kishte qenë e shkurtër, në një ballkon a tarracë të vogël, disa vite më parë, kur njëri, ende i ri, kishte mbajtur një fjalë të thukët në nderimin e Çerçiz Topullit, ky i fundit kishte qenë në fakt miku i poetit, dhe, ndërkohë, poeti, që e kishte falënderuar djalin e ri për fjalët, as që i kishte shkuar ndër mend se pak vite më vonë , pikërisht nga ai ose njerëzit rreth tij, do të ndalohej. Nëse do i kishte shkuar ndër mend , me siguri do të kishte thënë diçka më tepër se sa frazën e famshme biblike , “Fali, oh Zot, se nuk e dinë çka bëjnë”!

Ndoshta ishte i vetmi poet i madh që ndalohej për dy arsye të gjendura njëkohësisht, por që asnjëra nuk ishte e saktë: dënohej si poeti i madh i Veriut, pro austriak i njohur dhe antisllav edhe më i njohur, dënohej si njeri politik, kur asgjë politike antikombëtare nuk kishte pasur në qëndrimin e tij? Absurdi nuk ka arsye!

Ndalimi i Fishtës ishte parathënia e parathënieve të largimit, ndalimit dhe pastaj linçimit të një plejade të shkëlqyer të prelatëve të kishës katolike, meshtarë të zakonshëm apo të ngjitur në shkallaret e religjionit të tyre, të cilët, ashtu të ditur si ishin, të panjollë, të mishëruar në besimin e tyre dhe në përkushtshmërinë ndaj vendit, ishin në të njëjtën kohë në elitat më të shkëlqyera të vendit. Mendimi filozofik shqiptar, etnografia, publicistika shqiptare, kultura dhe artet në përgjithësi, arsimi dhe drejtimi i mendimit politik drejt perëndimit, të gjitha këto nuk mund të kuptohen pa këtë plejadë të shkëlqyer, që në thelbin e tyre ishin dishepujt e padër Gjergjit.

Si thashë, Fishta ishte poeti i ndaluar dhe kur e lexova për herë të parë, në trapazanin e shtëpisë së madhe të Gjylbegajve, ku ndodhej biblioteka e pazakontë, isha po ashtu në një çast të ndaluar.

Por që shijonte më shumë. Gjithçka bëhej më misterioze, enigmë e pashpallur dhe në portretin e tij dukej si një perandor i harruar, mistik dhe i legjendshëm, jetësor dhe kumbues, njohës i shpirtit dhe brymosës i tij, gjëmues dhe cinik, i dashur dhe i larguar, aspak ledhatues , por edhe kurrë përjashtues, i guximshmi që të ngjallte besim, ishte Fishtiani që kishte lindur për të qenë një shqiptar i madh, kleriku që njihte mbi vete fe e Atdhe, i mohuari që e donin me zjarr, duke pritur ditën e ri ardhjes së tij.

Ai ishte i nëmuri që duhej; i përjashtuari që afrohej; i lëçituri që lexohej; i ndaluari që i hapeshin dyert, i mallkuari që nuk mallkonte; i huaji që ishte më shumë se i shtëpisë; në fund ai ishte Homeri i Iliadës shqiptare, por që në ndryshim me bardin plak, nuk ishte as i verbër dhe personazhet e tij nuk ishin as zotër e as perëndi që ziheshin me njëri tjetrin, por vendas, njerëz të njohur dhe të zakonshëm, bajraktarë dhe djem të rinj, heronj që linin pas një emër të përjetshëm, si Oso Kuka, ishin prijës dhe burra me mend, agallarë flokë lëshuar,  si të kishin dalur nga cikli i Muji e Halilit; kokëshkretë, që e kishin më lehtë të vdisnin se të jepnin mikun, pavarësisht se me atë mik kishin qenë hasëm; burra që e dinin se emri i tyre nuk duhej të shuhej; pinjollë të shtëpive të mëdha që i dinin themelet e tyre, toskë që kishin vendin e duhur të nderit; më pas mbretër dhe kancelarë, sulltanë e pashallarë e mbi të gjitha gjithfarë knjazësh , qofshin në një cep të humbur që quhej Cetinë a në një qytet të njohur që quhej Beograd.

Ai priste i qetë të kthehej një ditë, ai nuk ishte shtërgu që largohej nga vendlindja dhe që e përjetonte ringjalljen jo si një martir, por si një i legjendshëm, duke e ditur se , mes të tjerave, ai kishte vendin e tij edhe në cepin tjetër të atdheut, aty ku fillonin ujrat e Drinit, buzë një liqeni dhe që përfundonin në qytetin e tij, po ashtu në një liqen. Lazgush Poradeci do të jetë sozia e tij, por në një trajtë tjetër.

Në orët e gjata të leximit, kur axha i nënës sime, Mësuesi i Popullit, Rakip Gjylbegaj, më lejonte të ngjitesha në bibliotekën e stërmadhe të tij, ku ishin të gjitha botimet e viteve, të lidhura mrekullisht, revista dhe gazeta, libra, shumë prej tyre të ndaluara dhe epistolari i familjes zëmadhe, vëreja se nuk isha i vetmi që tërhiqesha prej tyre dhe se shpesh herë, në raftet e mëdha krijoheshin zbrazësi të ndjeshme. Në bibliotekë nuk mund të ngjitej kushdo. Rakip begu më thonte se një pasdite ishte ngjitur edhe babai im dhe , pasi kishte qëndruar gjithë natën, e kishte qenë një natë me shira të gjatë dhe rrëmujën e vetëtimave, në mëngjes ishte ulur i tronditur dhe nuk e kishin ditur se si kishte ndodhur: nga lodhja apo nga tronditja e atyre që kishte lexuar.

Një natë, kur po rrija në çardakun e madh, në oborrin e trëndafiltë ,ku ishin edhe dy blirë të mëdhenj, po rrinte njëri nga djemtë e Hamdi Bushatit, profesorit të nderuar, autorit të Veprës Monumentale, “Shkodra dhe Motet”. Një çarçaf i bardhë, i madh, kishte mbuluar diçka të rëndë, që ai mezi e mbante në duar. Hamdi Bushati ishte nip i familjes Gjylbegaj, nëna e tij kishte qenë motra e Muharrem beg Gjylbegut, kryetarit të parë të Bashkisë së Shkodrës, që edhe e kishte ndërtuar atë shtëpi.

Të nesërmen, kur u ngjita në bibliotekë revistat dhe librat e Fishtës, që mungonin një natë më parë, kishin ardhur në vendet e tyre.

Fishta ishte në orët e qarkullimit të tij.

Në moshën time më shumë më tërhiqte “Mrrizi i Zanave” , se sa “Lahuta e Malcis”. Nuk e di pse, megjithëse të parën e dija në shumë pjesë përmendësh. Si duket, gjithçka ka kohën e saj, edhe “Lahuta” kërkonte një kohë tjetër dhe jo kohën e rinisë së parë, kur të duket se hëna krahë thyer fshihet në çerdhen e ujërave dhe përditë nxiton drejt diçkaje që mbush një jetë.

“Gomari i Babatasit”, një mrekulli satirike dhe e zhdërvjelltë më ishte më e këndshme, së bashku me “Anzat e Parnasit”, ndoshta edhe nga farfurima që i mbështillte dhe magjia e fjalës .

Duhet një kohë e caktuar për të ndjerë në vete eposin e Fishtës në 15 mijë e 613 vargjet e saj , të ndarë në 30 këngë. “Lahuta” kishte qenë vepra e fundit e Fishtës, botuar për herë të parë e plotë në vitin 1937, por që kishte zanafillën më të hershme.

Është ndoshta poema epike e parë në botë, pas atyre të bardëve të lashtë, që më parë këndohej, deklamohej, bëhej e njohur, ishte pjesë e ndërgjegjes së kombit e më pas botohet.

Pas saj nuk besoj se do të ketë më një rast të dytë.

Eposi i Herojve të Fishtës është vepra e tij monumentale dhe më rrëqethëse. Është e pazakonshmja e popullit e sjellë përmes një njeriu.

E kam shijuar mrekullisht në kohën e luftës së Kosovës. E mbaja me vete, së bashku me tragjeditë e Shekspirit. Kishte shumë gjëra shekspiriane në atë epos, megjithëse mrekullia e artit e anglezit mistik nuk ishte aty.

Në Zvicër, kur shkoja tek miku im Mehmet Bislimi, poet, publicist e prozator i shkëlqyer, në dhomën e vogël ku flija, përmbi shtratin e zakonshëm, gjeja gjithmonë “Lahutën e Malcis”. Atëherë e ndjenim më fort.

Riardhja e Fishtës ishte e natyrshme, e domosdoshme dhe e pritur. Thuaj pesë dekada, jo rastësisht, nuk ia zbehën lavdinë. Ai ishte i panjohuri i njohur. Më shumë, mijra herë më shumë i njohur, se sa i panjohur.

Dhe, si me të drejtë thotë Vatican News: “Për Fishtën nuk duhet shkruar. At Gjergj Fishta duhet lexuar! Sepse vetëm duke e lexuar, mund ta njohësh Fratin e veshur me zhgun, të ngjeshur me konop nëpërmjet e me këmbë të zbathura verë e dimër… Mund të njohësh humanistin, atdhetarin, burrin e madh, pa varr, por jo pa lavdi. Poetin, veprat e të cilit u flakën njëmijë herë në baltë nga kundërshtarët, e u ngritën njëmijë herë në qiell nga dashamirët. E sidomos, Lahutën! E ndaluar, e pështyrë, e djegur, e fshehur në skutat më të errëta të shtëpive të moçme e në kujtesat e njerëzve, ajo doli e del përsëri në dritë, për t’i folur Shqipërisë e edhe botës…”.

Lahuta e Malcis, sipas E. Çabej, “është vepër arti e plotë, e

përsosur dhe e përkryer në vetvete. Kjo vepër ka për të rrojtur më shumë se poeti dhe ka për të treguar përtej nëpër kohë atë frymë të veçantë të popullit që ai këndoi. Për këtë popull vetë është dhjata e shtrenjtë e poetit lënë trashëgim

 …”.

Në jetën letrare të Fishtës, epokal, satirist, polemist, tregimtar, rrëfyes, është e vështirë të gjesh alter egon e tij në veprat e shkruara. Në poezitë brilante, të cilat, pa asnjë diskutim, më lehtë mund të këndohen, se sa të lexohen, ai ka përshfaqur përjetimet dhe pasqyrimet, vigjëlimi i tij analitik është i kahdoshëm,, por bota e tij letrare nuk rrotullohet rreth unit të tij. Ai nuk është aty; fryma e tij, po; ai vetë, jo. Ai nuk e sjell ndjenjën e „ unit“ të tij, për t’i lënë vend përmasave të mëdha, ngritur në lartësi të pamatura.

Fishta nuk mund të kuptohet pa brezin e tij të shkëlqyer, të gjithë bashkë përbëjnë një galaktikë të pashembullt, që nuk erdhi, mjerisht kurrë më, ose vetëm e copëzuar ngutshëm.

Figura të pazakonta të kohës, miq të tij dhe të njëjtë nga shtati , Çabej, Asdreni, Poradeci, Shtjefën Gjeçovi, Prendushi, Kuteli, Aleks Buda, Aleksandër Xhuvani, Koliqi, Mjeda, Fan Noli, Sejfulla Malishova,  Ali Asllani; më tej, një elitë të rinjsh që synonin të përmbysnin botën përmes mendimit, Branko Merxhani, Migjeni, Nonda Bulka, Petro Marko, Nebil Çika, Kokalari, vllezërit Toto – këto ishin rrethrrotullimi i botës shqiptare që kishte lindur. Asnjë periudhë tjetër nuk ka pasur kaq shumë korifej njëherësh dhe kaq të ndryshëm në të njëjtën kohë. Të gjithë këto ishin shpirtra të rrëmbyer nga atdhedashuria. Mes tyre, Fishta është patriarku i pranuar nga të gjithë si ati shpirtëror i kombit. Esse-të filozofike dhe të paarritshme të Eqerem Çabejt dhe Lasgush Poradecit mbi figurën poliedrike dhe misionare të Fishtës, „ syri ciklopik i vetëdijes së kombit“,  shkruar menjëherë pas vdekjes së tij, janë ende shembulltyra të mendimit, kryevepra esseistike, si zëri i kolosëve të kulturës sonë kombëtare.

Gjergj Fishta, ose Gegë Toska, përzgjedhja e tij e veçantë, në poezinë e tij ka shumë ngjashmëri me vezullimet vagneriane dhe buçitjet e pandalshme të ortekëve, „ Lahuta e Malcis“ mbetet konceptimi dhe jetësimi i Lirisë, mbijetesa dhe thirja e Poetit për besimin ndaj kombit që i përket.

Ndryshe nga shkencat e ekzakte, arti nuk  i nënshtrohet vlerësimeve të padiskutueshme. Për gjithësecilin njeriu mund të ketë mendimin e tij. Kjo nuk ulë vlerën e tyre të përgjithshme dhe as i zbeh ato. Përkundrazi,  i nxjerr në shumë dritëzime dhe më njerëzorë. Fishta nuk ka bërë përjashtim. Për të është shkruar shumë e do të vazhdojë të shkruhet, ka pasur të kundërta dhe kundërshti, arti i Fishtës ka qenë ndjellës, por, në të njëjtën kohë, edhe përcëllues. Koha ka bërë rrjedhën e saj në përcaktimin e poetit . Në etapa të ndryshme, edhe mendimi i secilit, si qasje vetjake, ka qenë i ndryshëm. Poezi të Fishtës, të cilat dikur na linin pa gjumë, sot i kalojmë pa i vënë re; ndërsa publicistika e tij, që dikur na dukej e largët, sot hapet në një dritë të re. Dikur isha i marrosur pas hymneve të tij poetikë, ndjenjës së shquar kumbuese atdhetare, edhe tani i ndjej ato; kjo është e natyrshme për çdo moshë, por tani, tërheqja është më e fuqishme drejt satirave të tij apo tragjedisë „Juda Makabe“. „Është shumë e vështirë, në mos e pamundur që, në fillimin e mbrëmjes së jetës të kujtosh dhe të kuptosh mëngjesin e saj“ – shkruan Erenburg; përceptimi është ndryshe, bëhet më i vështirë rendja pas disa gjërave dhe qëndron më shumë ngulmimi në të tërën,  ndryshon ndriçimi, pasqyrimi i asaj që sheh, loja e dritë-hijeve; ata që na kanë pëlqyer dikur na lënë tani indiferentë. Leon Tolstoi, për shembull, nuk e duronte dot Shekspirin. Stendali thonte shumë vite më parë se ” Meriton të hidhet në letër vetëm ajo që mbetet interesante dhe pasi historia e ka thënë fjalën e saj”. Mjeshtrat e vërtetë nuk kanë nevojë për mëshirë dhe gjithëherë gabohen kur nguten të çkurorëzohen idhujt e djeshëm. Nga ana tjetër, idhujt që synohen të shemben, bëhen përsëri perëndi..çka ndodhi edhe me Fishtën. Në botën e artit ka pasur gjithnjë raste të tilla, por mjeshtrat e vërtetë e gjejnë gjithnjë kohën e tyre, pengesat i rritin, sepse përballimi i të papërballueshmes i rrit ato. Bota e artit është e ylbertë dhe ka vend për të gjithë, për mendimet, keqkuptimet, mëritë,grindjet, ndasitë, kohrat..

Fishta, ndoshta më shumë se të tjerët, kishte lindur për të qenë shqiptar.

Të jem i sinqertë, megjithë hyjnizimin e Eposit të Fishtës, lirikat e tij më kanë tërhequr më fort, i kam më për zemër dhe i ndjej si një kujtesë të vazhdueshme dhe të domosdoshme.

Nuk mund të thuhet më bukur se kjo që po sjell në mbylljen e kësaj ese-je të shkurtër për njeriun që vuri dorë mbi kohrat dhe i bëri të kenë edhe emërin e tij.

“Pra, mallkue njai bir Shqyptari/ qi këtë gjuhë të Perëndis’/ trashigim, që na la i pari/ trashigim s’ia len ai fmis/ edhe atij iu thaftë, po, goja/ që përbuzë këtë gjuhë hyjnore/ qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja/ flet e t’veten e lén mbas dore.

Gjergj Fishta e ka kapur shpirtin njerëzor jo në rrëmbim e sipër, në grimca çasti kur njeriu shpërthen në pragjet e fundit të mundësive të tij. Më shumë se sa poet, ai ka qenë skulptor i vargjeve, i ka gdhendur ato në disa dekada, duke qenë, në të njëjtën kohë, edhe anatomisti i madh i shpirtit njerëzor. Te Fishta, ndryshe nga sa ndodh te Mjeda, atë që e lexojmë edhe e shohim, të zgjon dëshirën të jesh pjesë, si në një amfiteatër Helen, ku kori i lashtë është edhe përsonazhi i vetvetishëm; e te Mjeda, fjala është vesa njomëse që pllehnon shpirtin. Te Fishta përshtypja e pare vjen nga madhështia, ai i ka hapur të gjitha portat për të hyrë mendimi dhe, bashkë me të, edhe sipërorja e kombit, që, i rrëzuar, duhet të ngrihet; i masakruar, duhet të gjejë mundësinë e ringritjes; dhe, bash për këtë, ai punoi 32 vite për të latuar historinë e kohës së tij, ku kishte qenë pjesë dhe ku do të vazhdonte të ishte , jo thjeshtë i pranishëm, por pjesë e kësaj historie.

Me vetëdije ai nuk i shmanget botës reale, nuk ka asnjë parandjenjë të frikshme se mos takimi i dy botëve, ajo e epokës kastriotase dhe, kjo tjetra, shumë më e afërt, ende e gjallë përmes përsonzahneve të saj , ( kur doli Bleu I  i Lahutës së malcisë, viti 1905) disa ishin ende gjallë, lëviznin në bjeshkët e tyre, Ded Gjo Luli dhe Marash Uci, të njëjtë si ishin në epikën e sapo botuar.

Për 32 vite, aq sa zgjati shkrimi i librit të jetës së tij, Fishta, me përjashtim të pak rasteve që, here here shfaqeshin si tragjedhi, interesohej, gjurmonte, ndërtonte realitetin poetic, duke e gdhendur ngadalë, për të vënë në lëvizje një botë të tërë shqiptare. Me energji të jashtëzakonshme, me etjen gjigande, deri fanatike, që përbuzte meskinen dhe të pa dobishmen, ai ndërton hap pas hapi, ngulmueshëm dhe në plotësinë e jetës, skenën madhështore të jetës në Shqipërinë Veriore; i dërgon përsonazhet e tij, që në fakt janë vetja e tij e dytë, më të shumtët kanë shkuar një pjesë jete së bashku, në të gjitha trevat, në mjediset e kullave dhe bjeshkët, duke thirrur në secilin prej tyre dhe duke e ditur se kjo nuk është thjeshtë një poemë, por strall historie, të cilës, as nuk i shkëputesh dot dhe as nuk mund t’i largohesh.  

Në botimin  e Bleut I, viti 1905 ai hap betejën e jetës së tij, por jo luftën. E megjithatë, natyrshëm, të gjithë e dinë se kjo që po ndodh është kulmi i veprës poetike, një Iliadë shqiptare, e  pa Krahasueshme me sprovat e tjera të ndodhura para tij, gjithashtu madhore, të ardhura në Shqipëri nga vise të tjera, nga poetë të shquar, atdhetarë të shkëlqyer, Naim Frashëri dhe De Rada , evokues të epokës skenderbeiane. Betejën ai e hap pak çaste më vonë, duke e ndjerë rrezikun me shqisën e veçantë të poetit dhe mendimtarit, e , bashkë me to, edhe të atdhetarit të jashtëzakonshëm. 

Latinët thonin: “Poeta nacitur” poeti lind. Është e vërtetë që Fishta është një poet që nuk mund të përsëdytet më.

Duke iu referuar eruditit të shquar, Moikom Zeqo,në esse-në e tij të njohur për Gjergj Fishtën,  “ në  pikëpamje etike vepra e Fishtës është edhe një lloj dualizmi zarathustrian i së Mirës dhe së Keqes, ku me të Mirën kuptohet Liria e shqiptarit dhe me të Keqen mohimi i kësaj Lirie.

Substanca etnike është guri filozofal i Fishtës me të cilin ai transformon fjalët dhe metaforat e tij në qenie të vërteta të përjetshme të imagjinatës dhe të historisë. Për Fishtën illyrika gens metamorfizohet nga albanica gens dhe këtu mund të gjendet i tërë universi i tij”.

„ Vetëm ajo që është e frytshme është e vërtetë“, shkruan Gëte, patriarku gjenial i botës gjermanike.

E gjithë vepra e Fishtës ishte e frytshme, bile edhe përtej saj, ishte e domosdoshme dhe jetike.

Askush nuk mund të mohojë këtë.

Nëse Mjeda ishte njeri i ëndrrave dhe i qetësisë, Fishta ishte njeri i hoveve të mëdha dhe ngjason me shkreptimën e rrufesë.

Mes shkrepëtimeve të lëshuara në kohën e duhur, ka edhe çaste të heshtjes apo të lëshimeve të çastit, kohë kur ai i falet më shumë altarit të besimit, dhe shpreson se lëshimet e tij nuk janë jeta e tij.

Këto përkohshmëri  nuk janë jeta e Gjergj Fishtës.. Ai mbetet një virtyt i paarritshëm, i madhërishëm, një thellësi e panjohur, që erdhi në kohën e duhur, që e bëri më të bukur dhe më të qëndrueshme botën shqiptare.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img
uEFA EURO 2024 GERMANYspot_img

Lajmet e fundit