Akti normativ më të cilin qeveria ndryshoi së fundmi buxhetin e vitit 2022 shkurtoi me rreth 16 miliardë lekë (131 milionë euro) fondet për institucionet dhe programet e shpenzimeve publike që nga infrastruktura, arsimi, mbrojtja, etj.
Tabelat e Ministrisë së Financave tregojnë se shkurtimet përfshijë të gjitha shpenzimet publike dhe institucionet e administratës në të gjitha programet, por më së shumti janë reduktuar fondet për infrastrukturën, kryesisht investimet në rrugë dhe ujësjellës.
Në total shpenzimet për ministritë e linjës dhe entet buxhetore do të jenë 352 miliardë lekë sipas ndryshimeve të fundit nga 368.4 miliardë lekë që ishin programuar në buxhetin fillestar, me një reduktim 4.4%.
Siç shihet nga të dhënat e ministrisë së Financave reduktimi më i madh i shpenzimeve është bërë ndaj Ministrisë së Infrastrukturës, fondet për të cilën janë shkurtuar me 9.4% ose rreth 4,4 miliardë lekë. Reduktimi më i lartë u bë në zërin, “Furnizimi me Ujë, Kanalizime” me 3 miliardë lekë ose 21% në krahasim me buxhetin fillestar.
Gjithashtu fondet për transportin rrugor u shkurtuan me 1,3 miliardë lekë ose 5.5% e programit fillestar.
Fondet e Ministrisë së Bujqësisë u shkurtuan me 5.5 për qind ose 699,7 milionë lekë, kur shihet se janë përgjysmuar fondet për peshkimin, të cilat me ndryshimet ne aktin normativ kanë arritur në 327 milionë lekë nga 702 milionë leke të programuara në buxhetin fillestar. Të gjithë zërat e shpenzimeve të Ministrisë Bujqësisë kanë pësuar ulje, përfshire zhvillimin rural dhe , sigurinë ushqimore, ujiten, kullimin etj.
Buxheti për aparatin e ministrisë së Financave u shkurtua me 1,6 miliardë lekë ose 13 milionë euro, ku reduktimet më të mëdha janë bërë për pagesën e sigurimeve shoqërorë me 730 milionë lekë ( 6 mln euro) dhe mbështetja për zhvillimin ekonomik me një reduktim të fondit me 41% ose 418 milionë lekë.
Shkurtimet përfshinë edhe Ministrinë e Arsimit, me mbi 1,6 miliardë lekë (13 mln euro) ose 3.6% e parashikimit në buxhetin fillestar. Shpenzimet për Arsimin Universitar pësuan shkurtimin më të madh me mbi 5.5% ose 600 milionë lekë, fondet për arsimin bazë u reduktuan me 3% ose 756 milionë lekë dhe fondet për arsimin e mesëm u shkurtuan 3 % ose 278 milionë lekë.
Më pak shkurtime u aplikuan për Ministrinë e Shëndetësisë me vetëm 0.46% të buxhetit fillestar.
Për ministrinë e Mbrojtjes reduktimet ishin të larta gjithashtu me rreth 1,8 miliardë lekë ose 5.6 e programit fillestar. Programi i “Mbështetjes së Luftimit” u reduktua me 12 % ose rreth 8 milionë euro, fondet për emergjencat civile u reduktuan me 26 për qind ose rreth 9 milionë euro dhe fondet për forcat e luftimit u reduktuan me rreth 3 milionë euro ose 3.8%.
Fondet e kursyera janë vënë në dispozicion të blerjes së energjisë për shkak se rezerva hidrike në vend po mbaron tërësisht./ Monitor