Kryeministri në largim i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç e ka vlerësuar si provokim të papranueshëm deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e cila, siç tha ai, ka aspirata të rrezikshme për cenim të integritetit territorial të Malit të Zi.
Ai në Twitter ka shkruar se është interesant fakti që ka munguar reagimi nga presidenti malazez, Milo Gjukanovic1 dhe siç shprehet ai “nga kryeministri i i emëruar në mënyrë anti-kushtetuese, Dritan Abazovic”.
“Unë e konsideroj provokim të papranueshëm deklaratën e zotit Kurti që shpall aspirata të rrezikshme për të cenuar integritetin territorial të Malit të Zi. Është interesant se nuk ka asnjë reagim nga presidenti i Malit të Zi dhe kryeministri antikushtetues Dritan Abazovic”, shkroi Krivokapiq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar dje se shpreson se Mali i Zi së shpejti do të ketë një qeveri të re, me të cilën do të mund të bisedojë dhe të zgjidhë problemin e 8200 hektarëve të territorit të Kosovës, që i takonin Malit të Zi me marrëveshjen e demarkacionit. Siç tha ai, ato 8200 hektarë padrejtësisht dhe gabimisht i janë dhënë Malit të Zi.