Punonjësit e policisë të cilët dolën pozitiv në testin e drogës në laboratorin privat, ende nuk i janë nënshtruar fazës së dytë të testimit të dytë që do të mbahet në laboratorët shtetërorë. Edhe pse marrëveshja mes dy institucioneve është firmosur prej tre javësh, çështjet procedurale kanë penguar rifillim e ekzaminimeve toksikologjike, ç’ka mund të ndikojë dhe në rezultatin e testeve për policët që kanë rezultuar si përdorues të lëndëve narkotike.
Testi i dytë që do të kryhet do të jetë vendimtar për fatin e çdo punonjësi të policisë, pasi në analizën e parë të nënshtruar shumë prej tyre e kanë kundërshtuar laboratorin privat në përgjigjet e marra. Me 15 nëntor të vitit të shkuar policia e shtetit ka vijuar me ekzaminimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët gjatë karrierës dyshohen për përdorimin e lëndëve narkotike. Deri me 24 shkurt janë ekzaminuar 1736 punonjës policie, kryesisht nga sektorë dhe mosha me risk, nga të cilët 45 kanë rezultuar të dyshuar pozitivë. E ndërsa vetëm 1 punonjës policie është përjashtuar nga radhët e policisë./ Oranews