Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se është gati që të bisedojë me grupin e deputetëve të PD-së që mbrëmjen e djeshme vendosën në kryesi që negociojnë me grupin e “Foltores” për t’u bashkuar, por e kaloi me të qeshur rezolutën e kryetarit të ri të komanduar të së djathtës, Enkelejd Alibeaj, që kërkoi që pas Lulzim Bashës, të mos kandidojë as Sali Berisha. Ai tha se “Bashizmi” mori fund dhe se tashmë ka filluar procesin e bashkimit të partisë duke nisur nga takimet me kryetarët e degëve të PD-së në rrethe.
“Së pari garantoj të gjithë demokratët se PD është e hapur dhe vullnetplotë për të diskutuar dhe debatuar me cdo anëtar të saj, cilido qoftë ai. Jemi të hapur, të bëjmë gjithçka për votën e lirë dhe bashkimin. Pra nëse nuk bëhet fjalë më për një kryesi, pasi ajo e shkarkuar me vendimin e kongresit të 11 Dhjetorit, kjo nuk do të thotë se fjala e demokratëve, cilido qoftë ai, nuk dëgjohet.
Natyrisht, fola për 11 Dhjetorin, por sanksionimin më të plotë e mori në 6 mars. Në këtë kontekst, ajo çka unë dua të theksoj dhe siguroj që PD ka institucionin e saj operativ dhe ky është grupi parlamentar. Por unë gjykoj që debati, brenda grupit të PD-së mund të zhvillohet, të diskutohet për cdo gjë.
Ftoj miqtë e mi, të mos harrojnë “bashizmi” ishte doktrinë e dhunimit të statutit, institucioneve. Askush nuk mund të mendojë të paraqesë që ekzistojnë dy PD, por vetëm një. Unë po takoj dhe një proces po ndodh në bazë. Po takoj kryetarët që deri dje, madje edhe në radhën e fundit kanë qenë te takimi me Bashën, por që janë të qartë, që 6 marsi ka vetëm një mesazh, bashkimin.
Me blofin nuk mund të luhet. Luan vetëm një dyshe, që kalon nga një studio në tjetrën pasi mbush xhepat me gurë në zyrën e Ramës, Baton Staniçiç dhe Preç Zogaj. Sali Berisha dhe askush nuk ka autoritet që të ndryshojë 11 dhjetorin që u konfirmua në 6 mars” tha ai.