Aktivistja Lura Limani ka reaguar medias së njohur amerikane CNN për artikullin në të cilin thuhet se Sllobodan Millosheviçi ka kryer gjenocid ndaj popullsisë etnike myslimane, duke thënë se gjenocid në Kosovë është kryer mbi të gjithë shqiptarët, pa dallim feje.
“CNN, Millosheviçi nuk ka kryer gjenocid kundër “myslimanëve etnikë” në Kosovë, por shqiptarëve etnikë të cilët janë myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe madje edhe ateistë”, ka shkruar ajo në reagimin e saj në Twitter.
Deklarata për të cilën ka reaguar Limani ishte pjesë e shkëputur nga një artikull kushtuar ish-Sekretares së ShBA-së, Madeleine Albright, e cila vdiq mbrëmë në moshën 84 vjeçare.
“Ajo [Madeleine Albright] kishte rol vendimtar për ta bindur presidentin Bill Clinton për të ndërhyrë në Kosovë në vitin 1999 për të parandaluar gjenocidin ndaj popullsisë “etnike myslimane” nga ish-lideri i Serbisë Sllobodan Millosheviç”, thuhet në këtë shkrim.