Ish-kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen në protesta për të rrëzuar qeverinë. Në mocionin me debat në Kuvend për rritjen e çmimeve, ai tha se qeveria po tallet me qytetarët dhe së fundmi, sipas tij mbajti të fshehtë edhe gripin e shpendëve.
“Na sollën edhe gripin e pulave. Mbahej sekret qeveritar një sëmundje, e cila duhet të deklarohet sipas ligjeve. Përbën problem jo vetëm për vendin, por edhe rajonin. Por është deklaruar në qershor apo korrik të 2021 për herë të parë.
Atëherë kur u sakrifikuan miliona pula, po njerëzit? Duhet të mbahej fshehtë, të vdisnin nga pandemia e gripit të shpendëve, mjafton të ruhej reputacioni. Cpo ndodh me bujqësinë? Ata që jepni ju nuk mjaftojnë.
Ajo është tallje. Kjo krizë nuk është afatshkurtër. Bënë ndonjë stimulim të të mbjedhurave apo të lashtave? Ju jeni fajtorë. Ju bëj thirrje qytetarëve, që kjo duhet të jetë pranvera e protestave të mëdha” tha ai.
Pas thirrje së Berishës për protesta, Damian Gjiknuri reagoi duke thënë se ish-kryeministri “Pa dashur nxori që ka qenë furnitori politik i protestave. Kjo është ti vendosësh zjarrin këtij vendi”.
Arben Ahmetaj u shpreh se kërkesat e opozitës për heqje të taksave janë hipokrite. “Unë e di, shumica nga ju shtireni, ku thoni hiq taksat, pasi taksat e kolapsojnë shtetin dhe nuk do të kemi mundësi të paguajmë pensionet, mësuesit, spitalet, etj. Ka nga ata që e thonë me qëllim.
Lufta nuk ka mbaruar dhe ne nuk e dimë si do të shkojë dhe një shumicë, është racionale dhe nuk thotë fjalën e fundit në ditën e parë, se pastaj i bie që mos ketë asgjë në ditën e dytë apo të tretë. Do i ndjekim zhvillimet e krizës nga ajër. Po bëjmë të pamundurën” tha ai.