Ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, u lirua gjatë ditës së sotme nga qelitë e burgut të Fierit dhe u kthye pranë familjes së tij.
Çela kishte vuajtur dy të tretat e dënimit dhe kishte kërkuar lirimin me kusht, kërkesë kjo e cila është miratuar këtë të premte nga gjykata e Fierit.
Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e dënoi Çelën, me vendim të formës së prerë më datë 4 shkurt 2022 së bashku me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Kolegji i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi, lënien në fuqi të Vendimit nr. 60, datë 19.09.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ku Jaeld Çela u dënua me 3 vite e 4 muaj burg, për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshoi një urdhër-arresti për ish-drejtorin e policisë së Vlorës më datë 22 nëntor 2017.
Policia nuk mundi ta arrestonte Çelën, pasi ai nuk u gjet në banesë, ndërsa u tha se ishte larguar jashtë vendit. Çela, ju shmang drejtësisë për më shumë se dy vite e gjysmë. Gjatë kësaj kohe, çdo përpjekje për arrestimin e tij, dështoi.
Ish-drejtuesi i policisë së Vlorës vendosi të dorëzohej vullnetarisht në drejtorinë e policisë së Tiranës më 16 maj 2020. Nga ajo ditë, Çela ka qëndruar në burg, deri mesditën e sotme, kur u lirua me kusht pas një vendimi të gjykatës së Fierit.
Drejtuesi i lartë i policisë, ishte duke vuajtur dënimin në burgun e Fierit, së bashku me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Për këtë shkak, lirimi i tij u gjykua nga gjykata e Fierit, nen juridiksionin e secilës është burgu i këtij qyteti.
Jaeld Çela ka drejtuar Policinë e Vlorës nga shtatori 2014, deri në prill të 2017-s. Ndërsa më parë ka drejtuar Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, si dhe ka shërbyer për më shumë se 17 vite në radhët e Policisë së Shtetit.
Jaeld Çela u emërua në krye të Policisë se Vlorës, kur ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri. Ndërkohë, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, vazhdon të vuajë dënimin me 40 muaj burg, në Institucionin e Vuajtjes së Dënimit Fier. / ABC