Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në takim një delegacion nga Lidhja Demokratike e Kosovës e kryesuar nga Lumir Abdixhiku.
Me anë të një postimi në Facebook, presidenti ka shprehur se gjatë takimit u bisedua mbi zhvillimet dhe sfidat nëpër të cilat po kalojnë dy vendet tona, rajoni dhe më gjerë.
Meta thekson rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit sa më të efektshëm mes dy vendeve tona, teksa shpreh mbështetjen e Shqipërisë ndaj Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimeve euroatlantike.
Postimi i Ilir Metës:
Prita sot me kënaqësi një delegacion të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të kryesuar nga Kryetari Lumir Abdixhiku. Vlerësova rolin thelbësor të LDK-së në proceset shtetformuese, konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve të Kosovës, mbështetur mbi trashëgiminë e vyer të Presidentit historik, Ibrahim Rugova. Diskutuam rreth zhvillimeve dhe sfidave nëpër të cilat po kalojnë dy vendet tona, rajoni e më gjerë. Theksova rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit sa më të efektshëm ndërmjet dy vendeve tona, si dhe garantova që Shqipëria do të mbështesë fuqimisht Republikën e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimeve euroatlantike.
U dakordësuam se sfidat dhe kërcënimet me të cilat Ballkani Perëndimor mund të përballet në të ardhmen e afërt, kërkojnë përpjekje edhe më të mëdha nga vendet tona dhe nga faktori shqiptar në rajon për forcuar bashkëpunimin me partnerët tanë euroatlantikë për të forcuar sigurinë e paqen në rajon.