Mbrëmja e djeshme ishte magjike për Maqedoninë e Veriut, pasi nxori jashtë Botërorit Italinë, kampione e Europës. Për herë të parë, Italia do të mungojë dy herë radhazi. Ndodhi në “Rusi 2018”, drama u përsërit në play off-in e “Katar 2022”.
Maqedonia tashmë do të përballet me Portugalinë në finale të play off-it, e cila eliminoi Turqinë me rezultatin 3-1. Në nisje të sfidës vëmendjen e të gjithëve e tërhoqi një detaj interesat.
Lojtarët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut nuk e kënduan himnin as kundër Italisë. Megjithëse në stadium kishin mbërritur shumë tifozë për ta përkrahur këtë përfaqësuese, pasi luante një sfidë të madhe ndaj axurrëve, asgjë nuk ndryshoi për shqiptarët.
Askush prej tyre nuk e ka kënduar himnin, ashtu siç në fakt ka ndodhur edhe në të shkuarën. Nga Musliu te Bardhi e Alioski, lojtarët nuk e kanë lëvizur buzën dhe qëndrojnë të ftohtë.