Forca ajrore amerikane ka dërguar në Evropë avionin e saj ‘Apokalipsi’ si pjesë e një skuadre avionësh që mbështet presidentin Joe Biden në misionin katërditor në Evropë.
Sipas Daily Mail, avioni E4-B Nightwatch është i projektuar për t’u kthyer në qendër komande dhe kontrolli në rast lufte bërthamore.
SHBA e mban të paktën një nga katër avionët e kësaj flote në gatishmëri për nisje imediate në rast konflikti bërthamor. Më herët gjatë kësaj jave, një zyrtar i lartë i Kremlinit tha se Moska rezervon të drejtën të përdorë armët bërthamore në rast se ka një kërcënim ekzistencial kundër vendit.
Deklarata bëri shumë bujë dhe solli reagimin e Pentagonit, që e cilësoi si të rrezikshme.
Një nga avionët – i cili bazohet në një Boeing 747 hyri në shërbim për herë të parë në vitet 1980, fluturoi dje drejt RAF Mildenhall në Suffolk, pasi kishte furnizuar me karburant në ajër ndërsa kalonte Atlantikun. Avioni është projektuar për t’i mbijetuar pulsit elektromagnetik të shkaktuar nga një shpërthim bërthamor dhe për të mbajtur kontakte me njësitë ushtarake amerikane në të gjithë globin për t’iu përgjigjur një sulmi armiqësor.