Një shishe me lëndë djegëse u hodh nga një person me biçikletë mbrëmjen e së premtes në një makinë të parkuar pranë bashkisë së Tiranës.
Lënda djegëse ka marrë flakë, por falë ndërhyrjes, zjarrfikësit kanë arritur ta shuajnë. Fillimisht policia raportoi se makina është në pronësi të shtetasit Taulant Tusha, drejtori i UKT-së
Njoftimi i parë i policisë
Më datë 25.03.2022, në afërsi të Bashkisë Tiranë, një shtetas akoma i paidentifikuar që po lëvizte me biçikletë, ka hedhur një shishe, dyshohet me lëndë djegëse, poshtë mjetit të parkuar në pronësi të shtetasit T. T.
Zjarri është fikur pa shkaktuar dëme. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Por më pas, në një njoftim të dytë të policisë, theksohet se makina është në pronësi të UKT-së Bashkisë Tiranë.
Njoftimi i dytë i policisë
Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë për ngjarjen e ndodhur pak më parë ku një shtetas ende i paidentifikuar, ka hedhur një shishe, dyshohet me lëndë djegëse, poshtë një automjeti, ju informojmë se:
Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar që automjeti nuk është në pronësi të shtetasit T. T., por në pronësi të UKT-së Bashkisë Tiranë.