Pas një video të bërë publike në rrjetet sociale një ditë më parë dhe denoncimit të dy vajzave për dhunë, policia e kryeqytetit ka vënë në pranga 30-vjeçarin Denis Telo.
Gjithçka ndodhi rreth mesditës së të shtunës, në rrugën e Bogdanëve. Dy vajza janë konfliktuar fizikisht me një djalë, e për fat të mirë ngjarja është mbyllur pa pasoja, me ndërhyrjen e qytetarëve rastësorë.
Edhe më herët, Denis Telo është identifikuar për skena dhune ndaj vajzave në zonën e “Myslym Shyrit” e madje ka qenë edhe i shoqëruar në polici.
Ai është denoncuar edhe herë të tjera në media, ndërsa raportohet të ketë gjithashtu probleme të shëndetit mendor.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
– D. T., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Arrestimi i tij u bë pasi gjatë ditës se djeshme kanë bërë kallëzim shtetaset A. R., 26 vjeçe dhe M. R., 29 vjeçe, banuese të dyja në Rrugën e Bogdanëve, se një shtetas i ka goditur me grushte pa arsye po në këtë rrugë, rast i cili është bërë publik dhe në rrjete sociale.
Pas denoncimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasin D. T., ku në përfundim të veprimeve u bë dhe arrestimi i tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.