Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e pikëlluar me vdekjen e ish shefit të Misionit të Zyrës Amerikane në Kosovë, John Menzies.
Ajo përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se Menzies ka shërbyer në Kosovë në ditët më të vështira dhe ka përforcuar thirrjet për paqe dhe pavarësi.
“Ambasadori, John Menzies, një mik i madh i vendit tonë dhe ish-shef i Misionit në Kosovë, është ndarë nga jeta. Ai ka shërbyer në Kosovë në ditët tona më të errëta dhe përforcoi thirrjet tona për paqe dhe pavarësi. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe miqve të tij”, ka shkruar ajo.
Në vitin 1999, SHBA ende nuk kishin ambasadë në Kosovë sikurse edhe shtetet tjera. Misioni diplomatik amerikan statusin e ka ndryshuar më 2008 pasi Kosova ka shpallur pavarësinë. Menzies është kthyer për vizitë zyrtare më 2012 në Kosovë.
Menzies që ka vdekur në moshën 74 vjeçare, për një kohë ka qenë në krye të Universitetit Amerikan në Kurdistan të Irakut.