Beyoncé hapi ceremoninë e 94-të të ndarjes së çmimeve Oscars me një performancë të mrekullueshme të “Be Alive”, një këngë që rrëfen forcën dhe krenarinë e njerëzve me ngjyrë.
Kënga është nominuar në kategorinë “Kënga më e mirë origjinale” dhe shfaqet në filmin e mirënjohur “King Richard”.
Beyoncé veshi një fustan të verdhë neon (si ngjyra e topit të tenisit). Në vend që të performonte në Dolby Theatre në Los Angeles ku mbahet ceremonia, këngëtarja zgjodhi si skenë një fushë tenisi në Compton, Kaliforni, ku motrat Venus dhe Serena Williams stërviteshin me të atin Richard dekada më parë.
Kjo shënon herën e parë në pesë vite që Beyoncé rikthehet për të performuar në një shfaqje çmimesh. Përpos balerinave, vajza e madhe e këngëtares, Blue Ivy, u shfaq pranë të ëmës.
Filmi “King Richard” trajton historinë e tenisteve të famshme Venus dhe Serena Williams dhe të atit të tyre, Richard Williams. Richard, në një plan me 78 faqe, manisfeston se si dy fëmijët e tij (asokohe ende pa ardhur në jetë) do të bëheshin teniste të njohura dhe sfidon të gjitha pritshmëritë e të tjerëve.
Përpos “Be Alive”, në kategorinë e këngës origjinale më të mirë janë nominuar edhe: “Dos Origuitas” nga Encanto, “Down to Joy” nga Belfast, “No Time to Die” nga No Time to Die dhe “Somehow You Do” nga Four Good Days.