Partia Socialiste sot nisi punën për zgjedhjen e Presidentit të ri. Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla njoftoi sot se mbledhja e grupit, që u drejtua nga Edi Rama caktoi tre deputetët që do të jenë negociator me palët për kreun e ri të shtetit.
Tre socialistët që “bekoi” Edi Rama për ndjekur këtë proces janë; kryetari i grupit Taulant Balla, sekretari i përgjithshëm Damian Gjiknuri dhe ministrja e shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali.
“Kemi diskutuar për seancën plenare të 31 marsit, deputetët në terren, por edhe procesin që do të çojë në zgjedhjen e presidentit. Jo më vonë se 24 maji, duhet të ketë filluar procesi i zgjedhjes së presidentit. Kuvendi do të marrë kohën e duhur.
Bashkë me mua do të jetë edhe Spiropali dhe Gjiknuri si të mandatuar nga grupi parlamentar për të konsultuar me grupet e tjera, deputetë, gjithkënd për një dialog në funksion të procesit të zgjedhjes së presidentit.
Konsultimet kanë filluar prej sot brenda grupit. Deputetëve u është kërkuar që të vijnë me propozime konkrete për një listë të atyre që mund të jenë kandidaturat e mundshme për t’u mbështetur më pas me firmat.
Në mbledhjen e grupit ishte kryeministri, ku kemi diskutuar për të gjitha këto cështje. Ne kemi sot në kohën e duhur për të iniciuar më pas edhe në aspektin e kalendarit një proces që do ta quaja të rëndësishëm. Dëshira jonë mbetet për të pasur dialog brenda asaj që kërkon Kushtetuta. Mos jetë proces kulisash, por demokratik” tha ai.