Partia Demokratike ka reaguar pas arrestimeve nga SPAK dhe kërkesës drejtuar Kuvendit për t’i vendosur prangat deputetit Alqi Bllako. Kryetarja e komisionit hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku përshëndeti arrestimet, por i kërkoi SPAK që të kalojë te arrestimet e ministrave.
“Kushdo që ka qenë i interesuar për inceneratorët sot ka pasur një zhvillim të ri. Sigurisht që është shpresëdhënës. Është një ditë për t’u përshëndetur, por jo e mjaftueshme.
Sot me lëvizjet, arrestimet dhe ndalimet për inceneratorin e Fierit, kemi pasur një hap përpara, por që nuk është i mjaftueshëm.
Pas dorëzimit të 112 fakteve për përfshirjen e Ramës, Ahmetajt, Gjiknurit, Agacit, Bllakos, SPAK ka reaguar duke arrestuar disa zyrtarë. Ne gjykojmë që kaq nuk është e mjaftueshme.
SPAK të veprojë edhe ndaj njerëzve me pushtet dhe autoritet, që të kalojë përtej pushtetit politik dhe të kryejë atë detyrë për atë që e kemi votuar. SPAK duhet të vazhdojë hetimet, pasi kjo që ka bërë nuk është e mjaftueshme” tha ajo.