Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, nuk është shumë i bindur se Rusia e ka seriozisht me tërheqjen e një pjese të trupave ruse nga Kievi, por një gjë e ka shumë të qartë – sanksionet ndaj Moskës jo vetëm që nuk do të hiqen, por edhe mund të shtohen.
Në një telefonatë që ai zhvilloi me homologun e tij francez, Emmanuel Macron dhe me tre kryeministra evropianë, përkatësisht Boris Johnsonin e Britanisë së Madhe, Mario Draghin e Italisë dhe Olaf Scholzin e Gjermanisë, Biden theksoi faktin se presioni ndërkombëtar, duhet të vijojë të jetë i lartë karshi Kremlinit.
Mbi këtë aspekt, kanë rënë dakord edhe krerët e lartë evropianë.
Sipas zbardhjes që Shtëpia e Bardhë i ka bërë telefonatës, Biden është ndalur në disa pika, ku sfida humanitare me të cilën Ukraina po përballet, ishte edhe ndër kryesoret.
Ndihmat, si ushtarake ashtu edhe në ushqime, duhet të vijojnë për Presidentin e SHBA-ve, pasi populli ukrainas ka nevojë për këtë qasje nga Perëndimi.