Dardan Krasniqi, nipi i Jakup Krasniqit, njërit prej ish-krerëve të UÇK-së Musli Gucati, djali i kreut të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati kanë komentuar vizitën e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Hagë.
Në një prononcim për lajmi.net ai ka thënë se çështja e Gjykatës Speciale është dashur të mendohet më herët për mënyrën se si duhet të funksionojë.
“Është një temë që është dashur me u mendu pak më herët për me ardhë deri tek ky moment. Për gjykimin tim nuk është mendu mjaftueshëm si duhet, tash rrethanat mund të kenë qenë të njohura të panjohura. Ne jemi në shërbim të drejtësisë, por është dashur të mendohet pak më mirë, se si me funksionu kjo Gjykatë”, ka thënë Kransiqi.
Krasniqi ka komentuar dhe delaratat e mëparshme të Haxhiut në drejtim të ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët sot gjenden në Hagë, duke thënë së secili është përgjegjës për qëndrimet e tij.
“Qëndrimet e së cilit janë përgjegjësi e tij. Unë parimisht nuk pajtohem me gjykimin pa kurrfarë argumenti pavarësisht çfarë natyre gjykohen ose akuzohen njerëzit. Po në fund të fundit është vullnet i saj ose i tyre, i kujtdo që ka përdorur gjuhë të tillë”, shtoi ai.
Ndërkohë gjatë ditës për vizitën e Haxhiut ka folur edhe Musli Gucati, djali i kreut të OVL-së, Hysni Gucati. Ai ka thënë se vizita e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Hagë mund të jetë diçka e mirë por që prapë nuk mund “t’i harrojnë asnjëherë fyerjet dhe ofendimet ndaj ish udhëheqësve të UÇK-së”, shkruan lajmi.net.
“Ndoshta si institucion dhe Ministre e Drejtësisë, vizita e saj mund të jetë diçka e mirë dhe mund të jetë diçka produktive por mbetet për tu parë. Por prapë se prapë nuk mundemi me i harru asnjëherë ato fyerjet edhe ofendimet që i kanë bë ndaj ish udhëheqësve të UÇK-së”, tha Gucati.
Jakup Krasniqi është arrestuar në nëntor të 2020-ës nga zyrtarë të EULEX-it të cilët kishin një urdhër-arrest nga Dhomat e Specializuara. Gucati e Haradinaj po mbahen në paraburgim që nga shtatori i vitit 2020. Ata akuzohen për vepra penale që ndërlidhen me administrimin e drejtësisë.