Ministria e Brendshme e Serbisë, i ka bërë thirrje Boban Bogdanoviçit, që gjetjet e tij për vrasjen e politikanit opozitar serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviç, t’i ndajë me hetuesit dhe jo mediat.
Deklarata e Ministrisë të martën e 29 marsit, vjen pasi Bogdanoviç ka folur për portalin KRIK në Serbi për informacionet e tij rreth vrasjes së Ivanoviçit.
“Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) shpreh keqardhje që Bogdanoviç nuk ka paraqitur ndonjë fakt të ri dhe as nuk ka konfirmuar ndonjë nga pretendimet e tij, as me prova materiale, e as me deklarata të dëshmitarëve”, është thënë në deklaratën e Ministrisë.
Në të është thënë edhe se pretendimet e Bogdanoviçit “bazohen ekskluzivisht në bisedat e tij të supozuara me të ndjerët, dhe për këtë arsye janë plotësisht të paverifikueshme”.
“Propozimin e policëve të MPB-së për deklarim në poligraf, Bogdanoviç e ka refuzuar”, është thënë mes tjerash në deklaratë.
Çfarë u publikua në KRIK?
Më 29 mars, portali hulumtues KRIK publikoi informacione nga Boban Bogdanoviç, mik i Aleksandar Gligorijeviç Puki, ish-anëtar i klanit të Velko Belivukut, lidhur me atë se kush e organizoi dhe kreu vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Bodganoviç deklaroi për KRIK se Gligorijeviç ka thënë se në vrasjen e Ivanoviçit kanë marrë pjesë dy grupe kriminale. Sipas Bodganoviçit, biznesmeni nga veriu i Kosovës, Zvonko Vesellinoviç ka urdhëruar vrasjen, ndërsa Lubomir Lainoviç e ka kryer vrasjen.
Sipas tij, personi që e ka organizuar shkuarjen në Kosovë të Lainoviçit, dhe ka përgatitur aspektin logjistik është Millan Radoiçiç, nënkryetari i partisë së serbëve në Kosovë, Lista Serbe.
Deri më tani, asnjë nga këta persona nuk ka reaguar për pretendimet e Bogdanoviçit. Velko Belivuk ka qenë drejtues i një prej grupeve të tifozëve të ekipit të futbollit, Partizan.
Belivuk dhe anëtarët e grupit të tij u arrestuan më 4 shkurt të vitit 2021. Ata akuzohen për pesë vrasje, rrëmbim dhe përdhunim, trafikim armësh dhe droge.
Autoritetet dhe disa media kanë publikuar detaje mbi hetimin ndaj Belivukut, duke paraqitur edhe fotografi të trupave të gjymtuar dhe të therur, duke pretenduar se i përkisnin viktimave të grupit të tij.
Aleksandar Gligorijeviç, i cili dyshohet se kishte për detyrë të paguante vrasësin e Ivanoviqit, u zhduk në mes të vitit 2020 dhe sipas Prokurorisë për Krim të Organizuar, pas vrasjes së Ivanoviçit qëndron Belivuku.
Sipas KRIK-ut, Lubomir Lainoviç – që Bogdanoviç pretendon se e ka vrarë Oliver Ivanoviçin – është djali i kriminelit Branisllav Lainoviç, i cili është vrarë mbi 20 vjet më parë. Sipas raportimeve të mediave, Lubomir Lainoviç është zhdukur në vitin 2020.Zvonko Vesellinoviç, biznesmeni nga veriu i Kosovës, së bashku me nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiç, janë të dyshuar për disa vepra penale dhe ndaj tyre janë zhvilluar disa procese para organeve të drejtësisë në Serbi.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Prokurorinë për Krim të Organizuar se si do të veprojë për këto pretendime, por nga ky institucion nuk janë përgjigjur.Oliver Ivanoviç, Biznemen dhe politikan serb ë Veri të Kosovës
Deri ku ka arritur hetimi për vrasjen e Ivanoviçit?
Oliver Ivanoviç, që udhëhiqte nismën qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), u vra më 16 janar 2018 para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Deri më tani, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza për vrasjen, ndërkaq në janar u mbajt seanca ku dëshmuan dy dëshmitarë.
Aktakuzë është ngritur kundër Nedelko Spasojeviç (oficer policie), Marko Roshiç (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Silvana Arsoviç (sekretare e të ndjerit Oliver Ivanoviç), Dragisha Markoviç (oficer policie), Zharko Jovanoviç (oficer policie) dhe Rade Basara (oficer policie).
Me vrasjen po ashtu janë të lidhur edhe Zhelko Bojiç (shef i operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiç (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviç (biznesmen).
Ndaj këtyre personave nuk është ngritur aktakuzë pasi ata ishin në arrati kur Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzën e parë.
Në aktakuzë përmenden Radoiçiç dhe Vesellinoviç si “udhëheqës të një grupi kriminal” që planifikoi vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviç.
Më 2019, Kosova lëshoi një urdhërarrest për Radoiçiçin nën dyshimin se kishte lidhje me vrasjen e Ivanoviçit.
Mirëpo, ky fletarrest për Radoiçiçin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa ndonjë shpjegim, dhe që nga ajo kohë ai është parë disa herë në veri të Kosovës.
Të gjithë të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviçit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.