Ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha sot shkoi për herë të parë në Kuvend si deputet i thjeshtë. Në hyrje të kuvendit, ai tha se do të vazhdojë të punojë që PD të rikthehet në pushtet, duke nënkuptuar se dorëheqja nuk është e parevokueshme.
“Unë po punoj dhe do të punoj për një PD të bashkuar rreth vlerave, që të jetë alternativë për njerëzit, që do të thotë, që të punojë për njerëzit, të tejkalojë interesat personale, prandaj thash dorëheqjen, por jo të heq dorë nga përgjegjësia ndaj demokratëve, PD duhet të kthehet në alternativë dhe shpresë për njerëzit, që nuk mund të jetë në kundërthënie me aleatët tanë strategjikë” tha ai. Për mbledhjen e grupit, tha se sot nuk shkoi pasi parashikoi atë që ndodhi, që e cilësoi si konfrontim me praninë e Sali Berishës.
I pyetur si e shikon rikthimin e Sali Berishës, Basha tha “Unë kam bërë dhe do të bëj gjithçka për vlerat e bashkuara. Një nga parimet është orientimi euroatlantik. Unë e kam të qartë rrugën që duhet të përshkruajë PD për të kthyer në një alternativë për njerëz. Unë do të punoj pa rreshtuar për këtë rrugë. Ujërat mund të jenë akoma të turbullta, por do të qartësohen”.
Në fund të fjalës së tij foli edhe për inceneratorët dhe dosjen e SPAK-ut. “Po futem në parlament, ku ndërkohë që sot ka ndodhur diçka shumë e rëndësishme. Është mishëruar një hap i parë në atë që është vjedhja e shekullit. Skandali i inceneratorëve.
Shpreh keqardhjen që këtij lajmi i mbivendosjen lajmet brenda PD-së. Ky hap duhet përshëndetur. Por para drejtësisë duhet të shkojë Edi Rama dhe ministrat e tij. Paketa që u ofrohet shqiptarëve sot është qesharake, ndërsa nga inceneratorët iu morën 430 milionë euro” deklaroi Basha.