Teksa pritet arrestimi i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllako pas akuzave për përfshirjen në aferën e inceneratorit të Fierit, të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me kompanitë që familja e tij kishte në zotërim.
CNA.al, përmes investigimeve të saj ka raportuar hap pas hapi çdo shkelje që është bërë me këtë aferë, si dhe ka nxjerrë në dritë përfitimet që kanë pasur jo vetëm ata që kanë qenë të përfshirë por edhe familjarët e tyre.
Babai dhe vëllai i Alqi Bllakos, kanë qenë të dy përfitues të milionave nga inceneratorët, por që me “hapjen e letrave” nga SPAK kanë nisur lëvizjet e tyre.
Edmond dhe Taned Bllako, babai dhe vëllai i ish deputetit socialist kanë shitur kompaninë e tyre “Alned 91” dhe blerësi i kësaj është Orest Sota, emër ky i njohur për opinionin publik, pasi disa vite më parë është kapur në Elbasan me patenta e Saimir Tahirit dhe me një çantë me para.
Taned Bllako, gjithashtu ka shitur edhe kompaninë tjetër, “Full Range Security”, një kompanie sigurie, shitje kjo e ndodhur në muajin janar të vitit 2022.
Familjarët e Bllakos shitën kompanitë nga frika e sekuestros?! Këto janë dy kompanitë që figurojnë, në fakt janë tre, është edhe një e tretë, por këto të dyja janë shitur njëra në janar dhe njëra në mars. Duke parë këto lëvizje, mesa duket Alqi Bllako ka vënë në dijeni edhe prindërit e tij për problemet që ka pasur dhe për të shmangur sekuestrot e mundshme të kompanive.
Tened Bllako, vëllai i tij njihet edhe si një nga njerëzit që lidh Alqi Bllakon me Top channel, kjo për faktin se rezulton të ketë qenë disa kohë më parë edhe Drejtor Ekzekutiv i kompanisë së kafes “Valentina Caffe” brendi i “Lori Caffe”, në pronësi të familjes së Vjollca Hoxhës, pronare e Top Channel./ CNA