Policia ka dhënë detaje këtë të enjte nga operacioni ku në pranga ra shtetasi i shumëkërkuar Nuredin Dumani në një apartament në qytetin e Fierit. Policia ka bërë të ditur se në këtë operacion janë vënë në pranga edhe persona të tjerë.
Ndërkohë, mjekët nga Fieri kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për të shkuarën e tij kriminale dhe se kanë bërë detyrën e tyre, bazuar dhe në betimin e Hipokratit.
“Kemi shkuar te banesa e personit të plagosur të shoqëruar nga një i njohur. Nuk kishim dijeni për të shkuarën e tij kriminale. Kemi bërë detyrën si mjekë për t’i ofruar ndihmën paraprake të shpejtë një njeriu. Kjo bazuar edhe në betimin e Hipokratit si profesionistë dhe në çfarëdo lloj situate që të ndodhemi nuk mund t’i mohojmë kujdesin shëndetësor askujt”, kanë thënë ata gjatë dhënies së dëshmisë në polici.
Tre mjekët dhe 20-vjeçarja nga Kosova, e dashura e Dumanit do dalin nesër para trupit gjykues në Elbasan ku do t’u komunikohet masa e sigurisë. Ndërsa Dumanit do t’i komunikohet masa e sigurisë në spital.
“Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
J. M., 43 vjeç, banues në Fier, me profesion mjek në qytetin e Fierit, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
B. B., 41 vjeç, banues në Fier, me profesion mjek në qytetin e Fierit, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
E. Gj., 36 vjeç, banues në Fier, me profesion ndihmësmjek në qytetin e Fierit, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
Gjithashtu, në kuadër të këtij operaconi është bërë arrestimi i shtetasve:
H. H., 40 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
M. H., 20 vjeçe, banuese në Kosovë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;
Po në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndaj shtetasit Nuredin Dumani, 35 vjeç, banues në Durrës, e cila i ka caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.