Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se është dakord që vendimi për prezencën e tij në grupin e PD-së të shkojë në votim te strukturat, pasi Enkelejd Alibeaj kundërshtoi praninë e tij me argumentin se u pezullua në shtator dhe tashmë nuk duhet të jetë pjesë e tij, pasi është “non grata”.
“Absolutisht, cilido demokrat ka të drejtë të propozojë, forumet janë, kuvendi dhe këshilli kombëtar, që tani nuk ekziston. Do të mblidhet kuvendi, të zgjidhet këshilli dhe cdo njeri ka të drejtë të propozojë” tha ai.
Por përse Berisha Alibeajn e njeh si kryetar grupi dhe vendimet e tij nuk i respekton? “Se e njoh grupin unë, nuk do të thotë se Enkelejdi është grupi, ai është kryetari i grupit.
Ai mund të qëndrojë kryetar derisa qetësohet të gjitha problemet. Kuvendi do të bëjë zgjedhjet e veta. Jemi në një proces dhe në proces e sipër ai mund të qëndrojë kryetar, nuk kam ndonjë kundërshtim”.
I pyetur se me cfarë lekësh po bëhet rikonstruksioni i selisë së PD-së, Berisha tha “Nuk kam asnjë dijeni, por absolutisht do të kërkoj të bëhet transparenca. Nuk e di nëse është me financat e partisë, pasi ka financa, por si është gjendja e arkës nuk kam dijeni”.
Cila do të jetë zyra juaj? “Nuk ka rëndësi, do të jetë njëra mes këtyre. Sapo të lyhet. Këtu nuk ka kryetar. Këtu janë zyrat. Kur të zgjidhet kryetari, ajo bëhet zyrë kryetari, tani cdo zyrë është zyrë” tha Berisha.