Reshjet e shumta të shiut të rëna gjatë gjithë natës kanë bërë që rruga nacionale nga Qafa e Buallit në drejtim të Peshkopisë, të mbulohet nga gurët e mëdhenj. Segmenti më problematik është ai pranë varrezave të Bulqizës ku vazhdimisht ka rënie të gurëve.
Ky segment është pjesë e rrugës së Arbrit i hapur dhjetë vite më parë. Drejtuesit e mjeteve janë përballur me rënien e vazhdueshme të gurëve, duke rrezikuar jetën teksa udhëtojnë në drejtim të Tiranës apo Peshkopisë. Shumë prej tyre ndalin makinat dhe i heqin vetë gurët nga rruga. Ata shprehen se kjo rrugë nuk mirëmbahet ashtu siç duhet dhe ju rrezikohet jeta sa herë kalojnë në të.