Çmimi i një kilogrami speca në Kosovë ka thyer të gjitha rekordet.
“A e patë çmimin e specave sot. Kilogrami kushtonte 5 euro. Kjo nuk është parë e as dëgjuar ndonjëherë në vendin tonë. Me këtë çmim më mirë të del të blesh mish se sa speca”, i thotë një i moshuar prishtinas një bashkëbiseduesi para dyerve të një marketi në kryeqytet.
Sado që është fare e qartë se specat e ofruar në marketet, supermarketet dhe shitoret e frutave dhe perimeve, janë ekskluzivisht nga importi, nga serrat turke dhe greke.
Edhe në vitet e kaluara, në këtë stinë, speci në tregjet kosovare ka qenë me origjinë nga importi, por ka kushtuar ndjeshëm më lirë.
Në raste jo të rralla, ky perim, i kërkuar dhe i konsumuar shumë ndër kosovarët, është tregtuar me çmime të arsyeshme edhe për kosovarin e varfër. Tani, pas çmimeve të ekspozuara stratosferike, nuk ka mbetur shumë fjalë për konsumatorin.
Sot, në marketet dhe shitoret e shumta të pemëve dhe perimeve në kryeqytet një kilogram i specave djegës kushtonte 4 euro e 99 centë, që i bie 5 euro, ndërsa specat e tjerë tregtoheshin një euro më pak, 3 euro e 99 centë.
Këto dy lloje të specave që tregtohen në marketet e tregjet kosovare dhe në ato të Prishtinës, importohen kryesisht nga Greqia.
Mirëpo, ka edhe lloje te tjera të specave për të cilët kërkesa është e vazhdueshme.
Të gjitha këto lloje të specave, që shiten me çmime kaq të larta, sipas menaxherëve të marketeve në Prishtinë, janë të klasit të parë dhe ekskluzivisht nga serrat turke dhe greke.