Emigrimi masiv po jep çdo vit efekte negative sa i përket numrit të nxënësve që ulen në bankat e shkollave.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT vetëm në sistemin parauniversitar janë 12 mijë regjistrime më pak.
Prej tyre janë 4 mijë fëmijë më pak në arsimin fillor dhe 4 mijë të tjerë në arsimin bazë.
Referuar INSTAT, ulje të ndjeshme kanë shënuar dhe regjistrimet në arsimin e mesëm duke rënë me 4.2 për qind, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.
Sa i përket tre viteve të para të universitetit, janë 1 500 të rinj më pak që kërkojnë të ndjekin studimet krahasuar me një vit më parë.
Por konstatohet se ka një rritje me 2100 të regjistrimeve për programet Master, ndërsa rënie të theksuar kanë ato për doktoraturë, ku shihet se ka rreth 1 500 regjistrime më pak.
Në raportet zyrtare evidentohet se në 5 vitet e fundit janë 74.723 regjistrime më pak të nxënësve dhe studentëve.
Ndërkohë ashtu si në vitin e kaluar, fusha më e preferuar nga studentët është ajo e biznesit, administrimit dhe ligjit, ku është përqendruar një e katërta e numrit të përgjithshëm të studentëve.
Një rritje të numrit të studentëve kanë parë programet e inxhinierisë dhe shëndetit.
Ndërsa programet më pak të preferuara janë bujqësia, pyjet, peshkimi dhe veterinaria ku janë të regjistruar vetëm 2.2 për qind e totalit të studentëve dhe artet e shkencat humane.