Presidenti Ilir Meta ndodhet në një vizitë zyrtare në Bullgari. Ai është pritur nga homologu i tij Rumen Radev. Pas takimit, kreu i shtetit bullgar shpjegoi se Bullgaria dhe Shqipëria nuk janë thjesht aleatë, por partnerë dhe miq. Për këtë kontribuon edhe pakica bullgare.
“Një pjesë e rëndësishme e dialogut tonë sot ishte forcimi i sigurisë në rajon. Vendet tona ndajnë një vizion të përbashkët për të ardhmen e rajonit tonë si aleatë dhe partnerë.
Një e ardhme e bazuar në fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal. Duke ndjekur parimet dhe politikat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, tha ai.
Tema kryesore e bisedës së sotme mes dy liderëve ishte zgjerimi i BE-së dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor. “Dua të them qartë qëndrimin që kam shprehur dy vite më parë në Tiranë.
Bullgaria mbështet fillimin e negociatave me Shqipërinë, pa kushte. Bullgaria thotë ‘PO’ për fillimin e negociatave” tha Radev.
Negociatat për Shqipërinë janë bllokuar si pasojë e vetos bullgare për Maqedoninë, pasi dy vendet janë projektuar nga Brukseli, që të ecin në bllok drejt BE-së.