Grupi i Rithemelimit të PD-së, i njohur nga gjykata e Tiranës si organi drejtues i partisë më të madhe në opozitë shprehet se ambasadorja amerikane Yuri Kim u tregua qesharake duke injoruar themelet e demokracisë me deklaratën e sotme që “bekoi” Enkelejd Alibeajn si kryetar të komanduar të PD-së.
Grupi i Rithemelimit, organ që “de facto” udhëhiqet nga Sali Berisha shprehet se diplomatja me këtë veprim që bëri sot tregoi se është në shërbim të Edi Ramës dhe se shkeli Konventën e Vienës dhe mbi të gjitha vendimin e gjykatës.
“Pas një heshtje të zgjatur e të kuptueshme nga zgjedhjet e 6 Marsit, ambasadorja Yuri Kim injoroi themelin e demokracisë së shtetit të saj “We, the People”.
Yuri Kim hyri sot në Kuvendin e Shqipërisë për një takim me kreun e grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj, por kur doli, me anë të një deklarate e shpalli atë në mënyrë qesharake dhe absurde si kryetar të Partisë Demokratike.
Yuri Kim sot, sikurse dhe herë të tjera, nuk bëri asgjë më pak përveçëse shkeli në mënyrë të përsëritur Konventën e Vienës si diplomate, duke shkelmuar mbi vendimin e gjykatës që konfirmoi verdiktin e demokratëve në Kuvendin e 11 dhjetorit, që i riktheu selinë, logon dhe vulën Komisionit të Rithemelimit- organit kolegjal të vetëm udhëheqës aktual të Partisë Demokratike. Ajo gjithashtu, injoroi edhe votën e zgjedhësve të shprehur qartë më 6 mars.
Yuri Kim vërtetoi sot atë që e ka parathënë edhe me veprime të tjera se është në shërbim të lojrave të Edi Ramës për të dobësuar dhe për të mbajtur sa më gjatë peng opozitën, duke komanduar për kryetar ata që u refuzuan me votë masive nga demokratët.
Per fat te mirë, shqiptaret e kanë kuptuar se vlerat e verteta të SHBA nuk janë arroganca, diversioni apo diktati, por vota e lirë dhe demokracia. Këtë e kuptoi edhe ish kryetari që u largua dhe do ta kuptojë cilido që mendon të uzurpojë opozitën kundër vullnetit të shumicës” mbyllet deklarata.
Në 25 mars, gjykata e shkallës së parë në Tiranë vendosi që të njihte grupin e rithemelimit me udhëheqës “de facto” Sali Berishën si organin drejtues të Partisë Demokratike.
Por ambasadorja përsëriti qëndrimin edhe dje, se nëse Sali Berisha do të rikthehet “de jure” në krye të partisë që themeloi 30 vite më parë, atëherë SHBA do të ndërpresë marrëdhëniet me PD-në.