Përfaqësuesi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB, ambasadori Ferit Hoxha dënoi masakrën që po bën Rusia në Ukrainë. Ai tha se e gjithë bota është e tronditur nga masakrat në Ukrainë. Me një gjuhë të ashpër, Hoxha i kërkoi Rusisë që të tërheqë ushtrinë dhe tha se Moska do të mbajë përgjegjësi.
“Jemi me ju zoti President (Zelensky), të gjithë popullin ukrainas, që janë treguar aq të fortë dhe që e admiron e gjithë bota atë që ju po bëni. I vlerësoj dhe mirëpres fjalët që keni thënë. Ka hyrë në muajin e dytë lufta e Rusisë në Ukrainë. Ajo që po lë Rusia pas po tmerron të gjithë botën. Pamje të njerëzve, që janë vrarë.
Kemi parë trupa në rrugë. Kemi parë totalisht civilë të shtrirë në tokë. Është një shkatërrim që po ndodh në Ukrainë. Janë bombarduar, kopshte, shkolla. Në Buça është bërë një masakër. Rusët kanë vrarë civilë. Kush mund ta besojë propagandën ruse?! Rusia nuk po e thotë të vërtetën, në Ukrainë janë kryer mizori.
Madje disa prej tyre janë verifikuar edhe nga gazetarë më se të respektuar. Rusia duhet të mbajë përgjegjësi përpara drejtësisë. Kryeministri Edi Rama e ka dënuar atë dhe e ka cilësuar një turp të vërtetë. Rusia duhet të ndalojë menjëherë sulmin në Ukrainë” tha ai.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtua me një fjalim Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Zelensky i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se po u drejtohet atyre në emër të viktimave të Rusisë.
Duke folur para këshillit për herë të parë që kur Rusia pushtoi Ukrainën, ai u shpreh se trupat ruse kanë vrarë civilë dhe kanë përdhunuar gra. Komentet e Zelenskit pasojnë vizitën e tij në qytetin Bucha të hënën, ku pa trupat e civilëve të vdekur ukrainas.
Ai akuzon Rusinë për kryerjen e gjenocidit. “Ku është Këshilli i Sigurisë? Ku është paqja? Ku janë garancitë që Kombet Fillestare duhet të sigurojnë? Agresorët duhet të ndalen, duket qartë se tani bota po sheh se çfarë ka bërë ushtria ruse në Bucha, por ende nuk ka parë se çfarë kanë bërë në qytetet e tjera të vendit tonë” tha Zelensky.