-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ekonomia shqiptare në dorë të fasonerisë

Kryesoret

Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga shërbimet e punës me porosi për subjektet e huaja vitin e kaluar arritën vlerën rekord të 501 milionë eurove.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto të ekonomisë shqiptare nga fasoneria u rritën me 14.6% krahasuar me një vit më parë. Vlera e shënuar vitin e kaluar përfaqëson nivelin më të lartë, për të paktën 15 vjet. Fasoneria ishte kontribuuesi i tretë më i rëndësishëm në bilancin e llogarisë korente të vendit, pas turizmit dhe remitancave.

Këto kolona kanë një rëndësi të madhe për pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare, sepse mundësojnë ngushtimin e deficitit të madh në tregtinë e mallrave. Pandemia dha ndikim të ndjeshëm si në numrin e ndërmarrjeve, që ra me 16% krahasuar me vitin 2019, ashtu edhe në numrin e të punësuarve, që u tkurr me afërsisht 10%.

Mbështetur në të dhënat e INSTAT, vetëm në sektorin e tekstileve dhe veshjeve në fund të vitit 2020 numëroheshin 581 ndërmarrje, që punësonin gjithsej afërsisht 28 mijë punonjës. Megjithatë, sipërmarrësit e këtij sektori gjithmonë kanë këmbëngulur se punësimi në këtë industri është shumë më i lartë nga sa tregojnë statistikat zyrtare, çka lë të kuptohet ekzistencën e një shkalle të konsiderueshme informaliteti.

Zbutja e ndjeshme e pasojave të pandemisë, që kishin qenë faktori kryesor frenues gjatë vitit 2020, ka ndikuar në kthimin në trajektoren rritëse të biznesit të fasonerisë. Statistikat e bilancit të pagesave e dëshmojnë qartë rimëkëmbjen gjatë vitit 2021, ndërsa të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë një ecuri pozitive edhe në muajt e parë të këtij viti.

Lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë besohet se mund të sjellin zhvendosjen e aktiviteteve prodhuese të investitorëve perëndimorë prej këtyre tregjeve. Shqipëria mund të jetë një nga vendet që potencialisht do të përfitonin nga kjo zhvendosje, për shkak të sektorit fason në rritje të vazhdueshme në periudhën postkomuniste.

Krahu i lirë i punës ka qenë baza kryesore e mbështetjes së eksporteve shqiptare pas rënies së komunizmit. Fasoneria është përqendruar kryesisht tek prodhimi i veshjeve dhe këpucëve me porosi nga jashtë vendit. Veç tekstileve dhe këpucëve, prodhimi me porosi është i shtrirë edhe në sektorë të tjerë të industrisë ushqimore apo pjesëve të këmbimit për automjetet dhe produkte të tjera industriale.

Ndryshe nga tekstilet dhe këpucët, aktivitetet e tjera të fasonerisë nuk janë të ndara në seksione statistikore të veçanta dhe kjo e bën të vështirë llogaritjen e kontributit të tyre në prodhim dhe punësim.

Në veçanti, për aktivitetet e industrisë automotive, që kishin një përqendrim të rëndësishëm në Ukrainë dhe Rusi, lufta mund të shtrojë perspektiva të zhvendosjes drejt tregjeve si Shqipëria. Megjithatë, tkurrja e popullsisë dhe vështirësia për të gjetur krah pune të specializuar ngelet një problem madhor për perspektivat e kësaj industrie. Veç kësaj, inflacioni i lartë mund të shtojë presionet për të rritur pagat, që janë edhe elementi kryesor i kostove në këtë industri. Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit