“5pyetjet.al” ka siguruar vendimin e zbardhur të gjykatës së Tiranës, në bazë të të cilit njohu Komisionin e Rithemelimit si drejtues të Partisë Demokratike, duke legjitimuar Kuvendin e datës 11 Dhjetor, thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
“Për sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike është thirrur në mënyrë të ligjshme nga një numër anëtarësh/delegatësh më i madh se ¼ e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij” thuhet në vendimin e zbardhur, që u mor në datë 25 mars.
Por si u arrit deri këtu? Gjyqtari Agron Zhukri thekson se për të marrë vendimin është bazuar te provat filmike, por edhe dokumentacioni mbi numrin e delegatëve dhe organizimin e kuvendit.
“Për sa më sipër gjykata vlerëson se procedurat e ndjekura për propozimin dhe miratimin e vendimeve të Kuvendit Kombëtar të PDSH të datës 11.12.2021, janë në përputhje të plotë me parashikimet statutore ne fuqi në momentin e miratimit të tyre, dhe praktika dokumentare shoqëruese e këtyre vendimmarrjeve është e plotë dhe e pakontestueshme.
Vendimet e marra në Kuvendin Kombëtar të PDSH të datës 11.12.2021 janë vendime të marra në përputhje të plotë me tagrin dhe kompetencat statutore të Kuvendit Kombëtar të PDSH, si organi më i lartë vendimmarrës i kësaj force politike dhe si të tilla ato duhet të regjistrohen në regjistrin e partive politike”.
Një debat i madh ishte edhe fakti i dorëzimit të firmave në zyrën e Edi Palokës, të cilin Lulzim Basha nuk e njihte si të ligjshëm, por gjykata thotë se edhe pse nuk është i përcaktuar në statut është në rregull, pasi kryetari i këshillit kombëtar është organi më i lartë që drejton veprimtarinë politike të partisë.
“Statuti i PDSH në asnjë dispozitë të tij, nuk parashikon organin të cilit kërkuesit e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, duhet t’i drejtojnë kërkesën për mbledhjen e tij, në rastet kur mbledhja e Kuvendit kërkohet nga anëtarësia.
Për sa më sipër, edhe në këtë aspekt, formalizimi i këtyre kërkesave dhe përcjellja e tyre pranë Kryetarit të Këshillit Kombëtar, organ ky i cili në bazë të nenit 44 të statutit përcaktohet si organi më i lartë i cili drejton veprimtarinë politike të partisë në periudhën midis dy Kuvendeve, është në vlerësim të gjykatës i ligjshëm dhe i pa kontestueshëm”, thuhet në vendim.
Mungesën e Lulzim Bashës për caktimin e anëtarëve të komisionit e justifikon në këtë mënyrë.
“Fjalia e fundit e paragrafit të dytë të nenit 43 të Statutit të PDSH, parashikon se “Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të punimeve të tij, me propozim të Kryetarit të Partisë”. Gjykata e vlerëson këtë parashikim jo si një të drejtë por si një përgjegjësi e cila i ngarkohet Kryetarit të partisë,, për të propozuar një Komision i cili pasi aprovohet nga Kuvendi drejton punimet e këtij të fundit. Mosushtrimi i kësaj përgjegjësie, në vlerësimin e gjykatës, nuk pengon organin më të lartë drejtues të PDSH, Kuvendin Kombëtar, në ushtrimin e sovranitetit të tij dhe në emërimin e një Komisioni me 5 anëtarë që drejtojnë punimet e Kuvendit.
Në kushtet e konstatimit të mosushtrimit të kësaj përgjegjësie statutore nëpërmjet mungesës së një përgjigje shkresore si dhe të mospjesëmarrjes së Kryetarit të PDSH në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të datës 11.12.2021, Kuvendi Kombëtar me propozim të Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PDSH z. Edi Paloka, i cili çeli edhe Kuvendin, miratoi me votim të hapur dhe me shumicë votash, në prani të më shumë se gjysmës së numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij një Komision të drejtimit të punimeve të tij të përbërë nga 5 anëtarë, si dhe një sekretariat teknik, sipas përbërjes së reflektuar në proces-verbalin e punimeve të Kuvendit Kombëtar dhe akteve të tjera të dala prej tij”.
Mes të tjerash, përpos ndryshimeve në statut, gjykata njohu edhe vendimin për shkarkimin e Lulzim Bashës dhe të gjithë kupolës së PD-së. Ky vendim është apeluar nga Enkelejd Alibeaj, kryetari i grupit të PD-së. Dje i hodhi më shumë “benzinë zjarrit” ambasadorja amerikane Yuri Kim, që njohu Enkelejd Alibeajn si kryetar të komanduar, edhe pse gjykata e ka shkarkuar.